
Tirana ka triumfuar në derbin e kryeqytetit përballë Partizanit me rezultatin 2-1. Në “Air Albania”, ishte një ndeshje me dy tablo, ku pjesa e parë foli për të kuqtë, ndërsa e dyta për bardheblutë
Derbi i kryeqytetit ngjyroset bardheblu. Tirana mposht Partizanin në derbi me rezultatin 2-1 dhe largohet nga zona e ftohtë e renditjes, ndërsa rivalët e kryeqytetasve kanë 6 ndeshje radhazi pa fitore.
Të kuqtë kaluan të parët në avantazh në minutën e 22. Aksion i rrëmbyeshëm i “demave” në të djathtën me Sidibe, pasimi i tij në qendër shkoi te Hjumën, i cili mposhti Bekajn.
Pjesa e parë e derbit u mbyll me fitoren e ekipit të Kërnajës. Fill pas golit të pësuar nga ekipi i tyre, disa tifozë ultras të Tiranës tentuan të futeshin në fushë, por u ndalën nga siguria, ndërsa prezenca e policisë bëri që situata të qetësohej brenda dy minutave.
Në minutën e 65, Tirana barazoi shifrat. Harkim nga e djathta i Alvarez, Kreshiç me kokë devijoi duke çuar topin në rrjetë në shtyllën e largët.
Në minutën e 82, Partizani pretendoi për penallti pas një prekje të topit me dorë në zonë pas një gjuajte me kokë të Shabanit. Gjyqtari lejoi lojën të vazhdonte dhe më pas nuk u ftua nga VAR-i të shihte pamjet.
Kur mendohej se të dyja ekipet do të shtrëngonin duart, bardheblutë gjetën golin e përmbysjes. Alvarez shënoi me një goditje dënimi spektakolare, duke ia dedikuar golin vajzës së tij të ndjerë, e cila u nda jeta pak muaj më parë.
Sfida e sotme ishte përballja e 212 në të gjithë historinë dhe të gjitha kompeticionet. Partizani ka arritur 84 fitore, Tirana 62 të tilla, ndërsa 65 ndeshje janë mbyllur në barazim.
Me këtë fitore, Tirana ngjitet në vendin e 7 me 37 pikë, ndërsa Partizani mban vendin e 5 me 45 pikë, duke rrezikuar seriozisht kualifikimin në “Final Four”.
Lini një Përgjigje