
Arsenali ka lënë pas dy humbjet radhazi, duke u rikthyer te fitorja në Premier Ligë pas suksesit minimal 1-0 ndaj Njukasëllit në “Emirates”, në kuadër të javës së 34-t.
Skuadra londineze e zgjidhi takimin që në minutat e para, kur Ebereshi Eze realizoi golin e vetëm të sfidës në minutën e 9-të, pas një asisti nga Kai Haverc. Ky gol rezultoi vendimtar për fatin e ndeshjes, pavarësisht përpjekjeve të mëvonshme nga të dyja skuadrat.
Një moment shqetësues për Arsenalin erdhi në minutën e 34-t, kur Kai Haverc u detyrua të largohej nga fusha për shkak të një dëmtimi. Mesfushori gjerman u pa i prekur emocionalisht, duke lënë fushën mes lotësh. Ky zhvillim ngre pikëpyetje për gjendjen e tij fizike, sidomos duke pasur parasysh rikthimin e fundit nga një dëmtim i mëparshëm dhe rrezikun për të munguar në Kampionatin Botëror.
Pjesa e parë dhe e gjithë ndeshja u mbyllën me rezultatin 1-0 në favor të Arsenalit, që me këtë fitore ngjitet përkohësisht në vendin e parë të renditjes me 73 pikë. Megjithatë, Mançester Siti mbetet në garë të fortë për titullin, duke pasur një ndeshje më pak të zhvilluar.
Lini një Përgjigje