
Roma ka siguruar një fitore të rëndësishme në luftën për një vend në katërshen e parë të Serisë A, duke mposhtur 0-2 Bolonjën në transfertë, në stadiumin “Renato Dall’Ara”.
Skuadra kryeqytetase e nisi ndeshjen në mënyrë të shkëlqyer, duke kaluar në avantazh që në minutën e 7-të. Doniel Malen shfrytëzoi asistin e Neil El Ajnaui për të zhbllokuar rezultatin. Në fundin e pjesës së parë, dy lojtarët ndërruan rolet: Malen asistoi dhe El Ajnaui realizoi golin e dytë, duke vulosur shifrat 0-2 para pushimit të ndeshjes.
Në pjesën e dytë, Roma administroi avantazhin pa lejuar reagimin e vendasve, ndërsa rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund.
Me këtë fitore, Roma ngjitet në vendin e pestë me 58 pikë, tre më pak se Juventusi, e cila ende nuk e ka zhvilluar ndeshjen e kësaj jave. Nga ana tjetër, Bolonja mbetet në vendin e tetë dhe, praktikisht, jashtë objektivave për javët e mbetura të sezonit.
Lini një Përgjigje