Sport 1 Prill 2023, 17:04

Egnatia, “hirushja” e Superiores, rrogozhinasit shuajnë ëndrrat europiane të Kukësit, Vllaznia nuk “shkrep” as me trajnerin e ri

Shkruar nga Pamfleti
Egnatia, “hirushja” e Superiores, rrogozhinasit shuajnë

Përfundojnë dy ndeshjet që ngritën siparin e javës së 27 të Abissnet Superiore. Pas 3 fitoreve dhe 1 barazimi, Kukësi është mundur me rezultatin e pastër 0-3 nga Egnatia. Rrogozhinasit po kalojnë një sezon të shkëlqyer në Superiore.

Miqtë zhbllokuan ndeshjen në minutën e 44. Një gabim i Abdu solli pasimin e Fernandos për Duamenën, i cili u shfaq para portës dhe sulmuesi nuk gaboi duke mposhtur portierin Tafas.

Në minutën e 62, Xhekson vulosi shifrat përfundimtare në 0-2 me golin e realizuar nga pika e bardhë e penalltisë.

Në minutën e 90, Egnatia trefishoi shifrat. Fernando dërgoi topin në rrjetë me një gjuajtje të fortë që mposhti portierin Tafas.

Me këtë fitore, Egnatia renditet në vendin e 3 me 41 pikë, ndërsa Kukësi mban vendin e 6 me 35 pikë.

Ndërkohë ndeshja tjetër, ajo mes Vllaznisë dhe Bylisit e luajtur në “Loro Boriçi” është mbyllur me rezultatin e bardhë 0-0. Një përballje me një dominim të mallakastriotëve që ishin disa herë pranë golit, por fatin nuk e kishin me vete. Megjithëse në krye të Vllaznisë debutoi Auron Miloti, sërish shkodranët treguan se nuk po kalojnë momente të mira në këtë edicion futbollistik

Ky barazim mban shkodranët në vendin e 4 me 38 pikë, ndërsa Bylisi renidtet në vendin e 9 me 29 pikë, duke bërë që ballshiotët të “notojnë në ujëra të ftohta”, pasi e shohin veten me një këmbë në Kategorinë e Parë sezonin e ardhshëm.

kukësi egnatia abissnet superiore vllaznia bylis