
Eliminimi i Dritës dhe Shkëndijës së Tetovës nga Liga e Konferencës në mbrëmjen e së enjtes ka shënuar fundin e pjesëmarrjes së skuadrave shqiptare në arenën ndërkombëtare për këtë sezon.
Dalja nga gara e Shkëndijës ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në renditjen e përgjithshme të koeficientëve të UEFA-s. Me përfundimin e rrugëtimit të ekipit tetovar, Maqedonia e Veriut e mbyll këtë edicion në vendin e 45-të në Europë, një pozicion pas Shqipërisë, e cila renditet e 44-ta.
Në rast se Shkëndija do të kishte avancuar më tej në kompeticion, Maqedonia e Veriut do të kishte kaluar Shqipërinë në këtë klasifikim. Renditja e UEFA-s është vendimtare për përcaktimin e numrit të skuadrave që përfaqësojnë çdo shtet në kupat e Europës, si dhe për fazën nga e cila ato nisin garën.
Për vende si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, objektivi minimal mbetet shmangia e rënies në vendin e 51-të ose më poshtë në renditje. Pozicionimi në këto vende ul në tre numrin e skuadrave pjesëmarrëse në kompeticionet europiane.
Aktualisht, pozicioni i Shqipërisë konsiderohet i konsoliduar, pasi asnjë nga shtetet që renditen poshtë saj në klasifikimin e UEFA-s nuk ka më përfaqësues në garë për këtë sezon.

Lini një Përgjigje