
Një superkompjuter i përdorur nga platforma “Betting Lounge” ka simuluar ecurinë e këtij edicioni të Ligës së Kampionëve, duke parashikuar një finale mes Arsenalit dhe Bajernit të Mynihut. Sipas këtij projeksioni, skuadra gjermane do të triumfojë përmes goditjeve të penalltive, pas një barazimi 1-1 në kohën e rregullt.
Shorti i fazës së 1/8-ave e ka vendosur Arsenalin në një krah të konsideruar më të favorshëm të tabelës. Skuadra e drejtuar nga Mikel Arteta do të përballet fillimisht me Bajer Leverkusenin. Sipas parashikimit të superkompjuterit, londinezët do ta kalojnë këtë raund me rezultat të përgjithshëm 5-1.
Në çerekfinale, Arsenali projektohet të ndeshet me Sportingun e Lisbonës ose Bodo/Glimt, duke siguruar një tjetër kualifikim bindës me rezultat të përgjithshëm 6-2.
Në gjysmëfinale, simulimi parashikon një përballje me Barcelonën, ku “Topçinjtë” do të fitojnë 4-1. Një sukses i tillë do të kishte edhe simbolikë, pasi Barcelona i mposhti londinezët në finalen e vitit 2006.
Megjithatë, sipas të njëjtit parashikim, finalja ndaj Bajernit të Mynihut do të përfundojë 1-1, përpara se bavarezët, me Herri Kejn si një nga protagonistët, të sigurojnë trofeun pas ekzekutimit të penalltive.
Superkompjuteri parashikon gjithashtu një rrugëtim të fortë për Bajenrin e Mnyihut në krahun tjetër të shortit. Skuadra gjermane pritet të eliminojë Mançester Sitin në çerekfinale me rezultat të përgjithshëm 3-2, si dhe Liverpulin në gjysmëfinale me shifrat 4-2.
Sipas këtij projeksioni, asnjë nga skuadrat angleze nuk do të arrijë të ndalë bavarezët në fazat vendimtare të turneut.
Në përballjet e tjera të parashikuara:
Barcelona pritet të eliminojë Njukasëllin me rezultat të përgjithshëm 4-2.
Atletiko e Madridit projektohet të mposhtë Totenhemin 3-2.
Çelsi parashikohet të eliminojë kampionët në fuqi, PSG, por do të ndalet në çerekfinale nga Liverpuli, pas barazimit 3-3 dhe humbjes me penallti.
Duhet theksuar se këto janë vetëm simulime të bazuara në algoritme dhe të dhëna statistikore, dhe nuk përbëjnë garanci për rezultatin përfundimtar të kompeticionit. Ecuria reale e skuadrave do të varet nga forma sportive, dëmtimet, vendimet taktike dhe faktorë të tjerë që nuk mund të parashikohen plotësisht nga modelet kompjuterike.
Liga e Kampionëve mbetet një nga kompeticionet më të paparashikueshme në futbollin evropian, dhe rezultatet në fushë shpesh sfidojnë çdo projeksion statistikor.
Lini një Përgjigje