
Kombëtarja shqiptare U-17 zhvilloi këtë të mërkurë sfidën e parë kundër përfaqësueses së Luksemburgut, e vlefshme për ndeshjet e raundit të dytë të Kampionatit Europian 2023 për këtë grupmoshë. Vajzat kuqezi të drejtuara nga trajneri Agustin Kola u mposhtën me rezultatin 2-0 nga Luksemburgu në takimin e zhvilluar mesditën e sotme në stadiumin kombëtar ‘Air Albania’ në Tiranë.
Trajneri Kola e nisi ndeshjen me këtë 11-she titullare: Amelia Mone (GK), Laura Bari, Klevisa Ndoci, Anxhela Nika, Rosela Vasa (C), Bora Bushati, Tiana Gjonaj, Klesta Ago, Klea Allushi, Gelda Kadiolli, Ornela Brahaj.
Minutat e para të lojës ishin të balancuara me ekipin shqiptar që iu afrua në disa raste golit, por pa sukses. Në minutën e 13, sulmuesja Guendi Merlevede përfitoi mjaft mirë, teksa i rrëmbeu një top Ndocit, nisi menjëherë një kundërsulm të shpejtë, duke realizuar edhe golin e avantazhit për ekipin mik. 1-0 për Luksemburgun. Pavarësisht epërsisë, vajzat kuqezi nuk u dorëzuan, por u rreshtuan më mirë në fushë dhe tentojnë sërish disa herë portën kundërshtare. Në minutën shtesë të pjesës së parë, gjyqtarja norvegjeze akordoi një penallti në favor të Luksemburgut, që dyfishoi shifrat me numrin 11, Olivia Konsbruk.
Në pjesën e dytë, trajneri Kola vendosi të bëjë një zëvendësim. Laura Bari la fushën dhe në vend të saj, trajneri kuqezi vendosi të hedhë në lojë Leoselda Stalaj. Në minutën e 55, Luksemburgu realizoi edhe golin e tretë sërish me sulmuesen Guendi Merlevede, e cila përfitoi nga një gabim i vajzave tona. Tekniku shqiptar vendosi të bëjë edhe një tjetër zëvendësim në skuadrën kuqezi, me Gelda Kadiollin, e cila la lojën dhe në vend të saj hyri në fushë Herta Hasa. Pavarësisht tentativave të futbollisteve kuqezi, rezultati i përgjithshëm i ndeshjes u mbyll me shifrat 3-0 në favor të Luksemburgut.
Kjo ishte ndeshja e parë e Shqipërisë U-17 në këtë raund të dytë të Kampionatit Europian. Ndeshja tjetër e Kombëtares shqiptare do të jetë ajo ndaj Islandës më 21 mars në orën 11:30 në stadiumin ‘Air Albania’. Sakaq, më 18 mars, do të zhvillohet edhe ndeshja tjetër e grupit B4, mes Luksemburgt dhe Islandës, në stadiumin ‘Air Albania’ në ora 11:30.