
Vllaznia është gjysmëfinalistja e katërt e Kupës së Shqipërisë. Skuadra fituese e dy edicioneve të fundit, ka siguruar vendin krah Teutës, Tiranës dhe Egnatias, pasi ka eliminuar Partizanin në çerekfinale.
Ndeshja e parë me “Demat” kishte përfunduar 3-1 për ekipin e Josës, ndërsa kryeqytetasit triumfuan 1-0 sot. Në minutën e 22, Cara lëshoi një sinjal të qartë për rivalët, goditje nga distanca, por u neutralizua nga Qarri. Sfida u zhbllokua në minutën e 25. Ishte Mensah që përfitoi pas një keqkuptimi në prapavijën shkodrane, për të shënuar kështu në portën e kundërshtarit.
Portieri i Vllaznisë, Qarri shpëtoi portën nga një gol i sigurtë në minutën e 62, duke i thënë “JO” Rrapajt dhe Carës. Në minutën e 87, Cara dërgoi në festë ekipin e kuq, por gëzimi zgjati pak, pasi arbitri anuloi golin pas rishikimit me VAR (Da Silva shkeli Gurishtën). Në fund e gjithë festa i takon Vllaznisë, skuadër kjo që do kërkojë të fitojë trofeun.