TAGS-AT E JAVËS

Sport13 Mars 2026, 18:37

FIFA përgatit ndryshimet e reja, çfarë do ketë ndryshe në Kupën e Botës

Shkruar nga Pamfleti

FIFA përgatit ndryshimet e reja, çfarë do ketë ndryshe

FIFA po përgatitet të zbatojë disa ndryshime të rëndësishme në rregullat e futbollit, të cilat pritet të aplikohen në Kupën e Botës 2026 që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë.

Ndryshimet synojnë kryesisht të përshpejtojnë ritmin e lojës dhe të kufizojnë taktikat e vonesës gjatë ndeshjeve.

Rregulla të reja për zëvendësimet

Sipas udhëzimeve të propozuara, lojtari që zëvendësohet duhet të largohet nga fusha brenda 10 sekondave nga momenti kur gjyqtari jep sinjalin për ndryshim.

Në rast se lojtari nuk e respekton këtë afat, zëvendësuesi nuk do të lejohet të hyjë menjëherë në fushë. Ai do të duhet të presë të paktën një minutë dhe deri në ndërprerjen e radhës të lojës.

Gjatë kësaj periudhe, skuadra do të vazhdojë ndeshjen me vetëm dhjetë lojtarë në fushë. Ky rregull synon të shmangë vonesat e qëllimshme gjatë zëvendësimeve dhe të përshpejtojë procesin e tyre.

Masa kundër vonesave në rifillimin e lojës

Ndryshimet e propozuara trajtojnë edhe vonesat gjatë rivënieve anësore. Nëse një ekip e vonon qëllimisht rifillimin e lojës, gjyqtari mund t’ia japë topin ekipit kundërshtar.

Sipas FIFA-s, kjo masë synon të inkurajojë një ritëm më të shpejtë të lojës dhe të reduktojë ndërprerjet e panevojshme gjatë ndeshjeve.

Penalizime për portierët

Një tjetër rregull i ri lidhet me portierët që mbajnë topin për një kohë të gjatë. Në raste të tilla, skuadra kundërshtare mund të përfitojë një goditje këndi direkte.

Kjo masë synon të parandalojë taktikat e vonesës dhe të ruajë vazhdimësinë e lojës.

Zgjerim i kompetencave të VAR

Ndryshime parashikohen edhe për sistemin VAR. Teknologjia do të ketë kompetenca më të gjera për të ndërhyrë në korrigjimin e gabimeve të qarta të gjyqtarëve.

Ndër rastet që mund të rishikohen përfshihen vendime si dhënia e gabuar e një goditjeje këndi ose masa disiplinore të marra në mënyrë të pasaktë.

fifa kupa e botës rregullat e reja

Lini një Përgjigje