
Përballja mes kampionëve të Evropës dhe Amerikës së Jugut, Spanjës dhe Argjentinës, e njohur si “Finalissima”, mund të mos zhvillohet më në Katar siç ishte planifikuar fillimisht. Ndeshja është parashikuar të luhet më 27 mars, por përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme gjatë javëve të fundit ka ngritur dyshime mbi organizimin e saj në këtë vend.
Në kërkim të një zgjidhjeje alternative, Federata Mbretërore Spanjolle e Futbollit (RFEF) ka propozuar ndryshimin e vendit të zhvillimit të ndeshjes, duke ruajtur të njëjtën datë. Sipas raportimeve të “Cadena SER”, RFEF ka ofruar stadiumin “Santiago Bernabeu” në Madrid si opsion për organizimin e takimit dhe, sipas burimeve, organizatorët nuk kanë shprehur kundërshtime.
Megjithatë, në diskutim janë edhe opsione të tjera evropiane, si Roma apo Lisbona. Pavarësisht këtyre alternativave, UEFA e konsideron Madridin dhe stadiumin “Bernabeu” si zgjedhjen më të përshtatshme për një event të kësaj përmase.
Vendimi përfundimtar pritet të përfshijë edhe qëndrimin e Shoqatës Argjentinase të Futbollit (AFA) dhe CONMEBOL. Sipas raportimeve nga Argjentina, AFA nuk është e prirur që ndeshja të zhvillohet në stadiumin e kombëtares spanjolle, pasi preferon një fushë neutrale.
Gazetari argjentinas Gaston Edul ka bërë të ditur se federata e vendit të tij nuk e mbështet idenë e zhvillimit të ndeshjes në “Bernabeu”. Megjithatë, sipas burimeve pranë UEFA-s, vendimi për Madridin shihet si pothuajse i përfunduar, edhe pse ende nuk është bërë zyrtar dhe mbetet në pritje të disa detajeve që lidhen me sigurinë dhe organizimin.
Një faktor shtesë që po merret në konsideratë është fakti se në të njëjtën datë në Madrid është planifikuar edhe ndeshja miqësore mes Marokut dhe Ekuadorit, e cila pritet të zhvillohet në stadiumin “Metropolitano”. Kjo situatë kërkon koordinim të ngushtë me autoritetet dhe forcat e sigurisë për menaxhimin e dy eventeve të mëdha sportive në të njëjtën ditë.
Autoritetet spanjolle konsiderojnë se kryeqyteti është në gjendje të përballojë organizimin e dy ndeshjeve të kësaj përmase, por theksohet se planifikimi dhe shpërndarja e forcave të sigurisë duhet të organizohet me kujdes.
Lini një Përgjigje