
Reali i Madridit i ka dhënë lamtumirën ashtu siç e meritonte Karlo Ançelotit, me një ceremoni speciale në fund të ndeshjes ndaj Real Socideadit. Tifozët as nuk kishin ndërmend të largoheshin nga stadiumi pa u përshëndetur me legjendat dhe kësisoj, të gjithë ishin në këmbë duke duartrokitur për minuta me radhë kur në ekranet e stadiumit u shfaqen videot e periudhës së teknikut italian te “Los Blancos”.
As ky i fundit në pankinë nuk shmangu emocionet, teksa fshinte vazhdimisht lotët duke parë pamjet e momenteve më të bukura që kishte përjetuar si pjesë e këtij klubi. Më pas, ai u ftua të thoshte disa fjalë për tifozët dhe aty i përlotur dhe me zërin që i dridhej, Ançeloti përshëndeti për herë të fundit stadiumin si trajner i kësaj skuadre
“Mirëdita. Mos mendoni se është kaq e lehtë të flas sot. Ka qenë një nder, një kënaqësi të stërvit këtë klub, këtë ekip. Para së gjithash, dua të falënderoj presidentin tim të dashur, Florentino Perez. Ka qenë fantastike, faleminderit për këto momente.
Ka qenë e jashtëzakonshme ta përjetoj këtë me ju, ka qenë një histori e paharrueshme sepse askush nuk mund t’i harrojë tre golat e Karim Benzema kundër PSG-së, askush nuk mund t’i harrojë dy golat e Rodrigos kundër Sitit, apo asistin e Lukas ndaj Sitit. Dhe askush nuk mund t’i harrojë dy golat e Hoselus.
Dhe unë gjithashtu nuk mund të harroj çdo ditë që kam kaluar këtu. Dhe do ta mbyll me “Hala Madrid” dhe asgjë tjetër. Ju dua shumë të gjithëve”, ishte mesazhi i Ançelotit të emocionuar i cili u largua mes duartrokitjeve nga fusha.
Lini një Përgjigje