TAGS-AT E JAVËS

Sport12 Dhjetor 2025, 19:19

Gara për Champions League, Seria A jep lajmin e madh për tifozët: Në sezonin 2026-2027 do kemi 5 ekipe

Shkruar nga Pamfleti

Gara për Champions League, Seria A jep lajmin e madh për tifozët:

Futbolli italian po përjeton një përshpejtim vendimtar në garën për renditjen e UEFA-s, në një moment kur viti 2025 i kupave evropiane është thuajse mbyllur.

Falë një jave shumë pozitive, me pesë fitore në shtatë ndeshje, Italia ka arritur të parakalojë La Ligën spanjolle në koeficientin sezonal, duke e rikthyer Bundesligën në objektivin kryesor.

Synimi është i qartë: sigurimi i njërit prej dy vendeve shtesë që dërgojnë ekipin e pestë në Champions League.

Xhiroja e fundit e kupave rezultoi mjaft e favorshme për skuadrat italiane. Edhe pse Interi humbi me penallti ndaj Liverpulit dhe Napoli u mposht në Lisbonë nga Benfika, pjesa tjetër e përfaqësueseve italiane dha përgjigje bindëse.

Në Champions League, Atalanta dhe Juventusi siguruan pikë të rëndësishme në fazën e re me grup unik. Në Ligën e Europës, Roma dhe Bologna regjistruan fitore me peshë, ndërsa në Conference League Fiorentina u rikthye te suksesi. Këto pesë fitore kanë ndikuar drejtpërdrejt në ngjitjen e Italisë në renditje.

Sipas përditësimit më të fundit, Italia ka arritur kuotën e 11.071 pikëve, duke lënë pas Spanjën me 10.609 pikë. Liga spanjolle po vuan nga rezultatet zhgënjyese të disa prej skuadrave kryesore, përfshirë Realin e Madridit dhe Vijarrealin.

Në krye vijon Premier Liga angleze, e cila duket e paarritshme, ndërsa beteja reale zhvillohet për vendin e dytë me Gjermaninë, që aktualisht ka 11.660 pikë.

Gara nuk ka përfunduar ende për këtë vit kalendarik. Java e ardhshme, me ndeshjet e fundit të fazës së grupeve në Ligën e Konferencës, ofron një tjetër mundësi për të ngushtuar diferencën me Bundesligën përpara pushimit dimëror. Shanset që Seria A të sigurojë një vend të pestë në Champions League mbeten më të hapura se kurrë.

 

champions league seria a

Lini një Përgjigje