
Nazmi Gripshi dhe Klisman Cake do ta vazhdojnë karrierën në kampionatin rus, pasi dy futbollistët e Kombëtares së Shqipërisë janë zyrtarizuar te klubet e tyre të reja. Gripshi është transferuar te Rubin Kazan, ndërsa Cake është prezantuar më herët nga Akhmat Grozni.
Sipas informacioneve të bëra publike, Rubin Kazan ka paguar rreth 500 mijë euro për kartonin e 28-vjeçarit Gripshi. Nga ana tjetër, Akhmat Grozni ka investuar rreth 400 mijë euro për të siguruar shërbimet e mesfushorit Cake.
Të dy lojtarët debutuan me Kombëtaren e Shqipërisë në tetorin e vitit 2025, në një ndeshje miqësore kundër Jordanisë. Pas paraqitjeve me fanellën kuqezi, ata hedhin një tjetër hap në karrierë, këtë herë në elitën e futbollit rus.
Gripshi spikati me Astanën në Kazakistan, ku në 53 ndeshje realizoi 25 gola dhe dha 12 asistime, duke u kthyer në një nga lojtarët më produktivë të skuadrës.
Ndërkohë, Klisman Cake ishte titullar i padiskutueshëm te Shkëndija e Tetovës. Ai largohet nga klubi me një bilanc prej 132 ndeshjesh, duke qenë një nga elementët më të qëndrueshëm të formacionit.
Transferimi i dy futbollistëve shqiptarë vjen në një moment kur klubet ruse nuk marrin pjesë në kompeticionet europiane, për shkak të sanksioneve të vendosura nga FIFA dhe UEFA. Kjo do të thotë se Rubin Kazan dhe Akhmat Grozni do të garojnë vetëm në arenën vendase.
Me këtë lëvizje, Gripshi dhe Cake nisin një kapitull të ri në karrierën e tyre, duke u bërë pjesë e kampionatit rus, ndërsa mbetet për t’u parë ndikimi që do të kenë në skuadrat respektive.
Lini një Përgjigje