
Milani duket se është futur në një krizë rezultatesh në Serinë A, teksa mbrëmjen e sotme u mposhtën me rezultatin 3-1 nga Udineze, në duelin e vlefshëm për javën e 27. Kjo ishte disfata e 7 në kampionat për kuqezinjtë, që në 3 ndeshjet e fundit kanë regjistruar 2 humbje dhe një barazim, duke u renditur momentalisht në vendin e katërt duke rrezikuar seriozisht pjesëmarrjen në Champions sezonin e ardhshëm.
Për sa i përket ndeshjes së sotme, Perejra ishte ai që hapi serinë e golave në minutën e 9, teksa Ibrahimoviç vendosi baraspeshën e përkohshme nga pika e bardhë e penalltisë në minutën 45+3. Teksa të gjithë menduan se pjesa e parë u mbyll në barazim, vendasit gjetën sërish golin me Beton në minutën 45+5.
Për të vulosur këtë triumf të bardhezinjve mendoi Ehizibue në minutën e 70. Edhe pse në këtë gol pati shumë kontestime për faull dhe pozicion jashtë loje nga futbollistët kuqezinj, pas konsultës me VAR-in, gjyqtari e konsideroi si gol të rregullt.