
Mançester Siti është kualifikuar në gjysmëfinalen e Kupës së Anglisë, pasi mundi me rezultatin e thellë 6-0 skuadrën e Bërnlit të trajnerit Vinsent Kompani, ish-lojtar dhe kapiten i “Qytetarëve”.
Ishte i zakonshmi Erling Haland që prishi ekuilibrat e sfidës në minutën e 32. 3 minuta më vonë, sulmuesi norvegjez dyfishoi shifrat.
Në fillimin e pjesës së dytë, ekipi i Guardiolës vazhdoi festivalin e golave, sërish me Haland, ndërsa listës iu bashkuan edhe Alvarez dhe Palmer.
Erling Haland është bërë lojtari i gjashtë i Premier Ligës që shënon më shumë se 40 gola në ndeshjet e luajtura në të gjitha kompeticionet në një sezon të vetëm.
Gjithashtu, Haland ka shënuar më shumë tregolësha në të gjitha kompeticionet në këtë sezon (6) se çdo lojtar tjetër i Premier Ligës të marrë bashkë (5).
Në 15 minutat e fundit të ndeshjes, Alvarez gjeti sërish rrjetën, me prapavijën e Bërnlit që u shpërfytyrua plotësisht. Siti kërkon t’i shkojë deri në fund këtij kompeticioni.