TAGS-AT E JAVËS

Sport 8 Shtator 2025, 22:52

Kualifikueset e “Botërorit 2026”/ Kosova shkëlqen ndaj Suedisë, “Dardanët” sigurojnë vendin e dytë në grup!

Shkruar nga Pamfleti

Kualifikueset e “Botërorit 2026”/ Kosova shkëlqen ndaj

Kosova ka reaguar në mënyrën më të mirë pas humbjes së thellë ndaj Zvicrës në Basel, duke arritur një fitore spektakolare 2:0 kundër Suedisë, një përfaqësuese e mbushur me yje të Premier League. Në ndeshjen e luajtur në stadiumin e stërmbushur “Fadil Vokrri” në Prishtinë, “Dardanët” treguan karakter dhe cilësi, duke u kthyer fuqishëm në garën për kualifikim në Kupën e Botës 2026.Suedia, e konsideruar favorite për shkak të emrave të mëdhenj si Viktor Gyokeres (Arsenal), Anthony Elanga (Newcastle) dhe Alexander Isak (Liverpool), u vu nën presion nga strategjia e mirëorganizuar e trajnerit Franco Foda.

Kosova dominoi në pjesën e parë, ku shënoi dy gola që i dhanë tri pikët e mëdha, duke e cilësuar këtë si një nga fitoret më të rëndësishme në historinë e saj. Mesfushori Elvis Rexhbeçaj hapi serinë e golave në minutën e 26-të, pas një kundërsulmi të shpejtë. Në tentimin e dytë, ai mposhti portierin suedez me një goditje të saktë, duke çuar tifozët në ekstazë.

 Ndërkohë, lideri i pakontestueshëm i Kosovës, Vedat Muriqi, vulosi fitoren në minutën e 42-të me një gol të bukur, pas një asisti të shkëlqyer nga Albion Rrahmani.

Pjesa e parë pa edhe raste të tjera nga të dyja skuadrat, por portieri i Kosovës dhe mbrojtja e drejtuar nga Lumbardh Dellova dhe Fidan Aliti qëndruan të pathyeshëm. Në anën tjetër, Suedia rrezikoi disa herë, por nuk arriti të konkretizonte.

Në fraksionin e dytë, Suedia mori iniciativën, veçanërisht pas aktivizimit të Alexander Isak, transferimit më të madh të verës në futbollin evropian. Megjithatë, Kosova u mbrojt mirë dhe shfrytëzoi kundërsulmet. Florent Muslija humbi një rast të artë në minutën e 89-të, por shifrat mbetën 2:0 deri në fund.

Kjo fitore e vendos Kosovën në vendin e dytë në grup, pas Zvicrës dhe para Suedisë e Sllovenisë, duke e mbajtur gjallë ëndrrën për kualifikim në Kupën e Botës 2026.

Kosova do të përballet me Slloveninë më 10 tetor në stadiumin “Fadil Vokrri”, me synimin për të vazhduar këtë moment pozitiv.

Lini një Përgjigje