Sport30 Maj 2023, 20:03

Kupa e Shqipërisë ndeshja e fundit për Orges Shehin, tekniku durrsak në negociata të avancuara me ekipin e njohur shqiptar

Shkruar nga Pamfleti

Kupa e Shqipërisë ndeshja e fundit për Orges Shehin, tekniku

Orges Shehi është shumë pranë largimit nga Tirana. Lajmi i bujshëm vjen nga Maqedonia, ku raportohet se tekniku, i cili shpalli kampion kryeqytetasit edicionin e kaluar dhe humbi titullin vetëm në javët e fundit në këtë edicion, është shumë pranë firmës me Shkëndijën e Tetovës.

Mediat maqedonase bëjnë të ditur se Shehi ka qenë në bisedime prej disa ditësh me Shkëndijën, nga drejtimi i të cilës është larguar vetëm pak ditë më parë Qatip Osmani. Ardian Nuhiu dhe Muarem Bajrami ishin raportuar se do të përbënin dyshen drejtuese të Shkëndijës për këtë edicion, por në Maqedonine e Veriut bëjnë të ditur se akordi nuk është arritur.

Tekniku durrsak ka qenë edhe më parë në negociata me klubin tetovar, që kishte kërkuar të siguronte shërbimet e tij. Por ai vendosi të mos largohej nga Tirana për të mbyllur këtë edicion. Megjithatë, përfundimi me një zhgënjim të madh siç ndodhi në këtë sezon në Superiore, mund ta bindë teknikun e bardhebluve që të ndërrojë pankinë dhe të zhvendoset në kampionatin e Maqedonisë së Veriut.

Finalja e Kupës së Shqipërisë me Egnatian do të jetë e fundit për të dhe më pas atij i skadon kontrata.

orges shehi trajneri i tiranës shkëndija e tetovës