Vllaznia për vajza është zyrtarisht skuadra fituese e edicionit të 14 të Kupës së Shqipërisë, pas fitores 4-1 kundër Apolonisë.
Në finalen e zhvilluar pasditen e sotme në ‘Shtëpinë e Futbollit’, shkodranet siguruan trofeun e 10 në këtë kompeticion të rëndësishëm. Pjesa e parë prodhoi një lojë mjaft interesante, me të dyja skuadrat që kontrolluan mirë topin dhe tentuan të gjenin avantazhin në portat përkatëse.
Të parat që kaluan në avantazh ishin fieraket, me Valentina Trokën, e cila pas një topi të bukur të dhuruar në të djathtë nga Klea Amonikaj, gjeti golin e parë të këtij takimi të rëndësishëm. 1-0 për Apoloninë në minutën e 14 të takimit. Nuk u stepën as shkodranet nga ana tjetër, që kërkuan golin e barazimit dhe e gjetën me Gresa Berishën në minutën e 29. Mesfushorja shkodrane provoi me një top të fortë nga jashtë zone, duke gjetur rrjetën e Apolonisë dhe duke barazuar shifrat në 1-1.
Shala përmbysi rezultatin dhe kaloi në epërsi Vllazninë, duke i çuar shifrat në 2-1 në minutën e 41 të takimit. Pjesa e parë e kësaj finaleje u mbyll me avantazhin e Vllaznisë 2-1, ndërsa po të njëjtat emocione dhe lojë të fortë prodhoi edhe fraksioni i dytë i takimit. Gresa Berisha vulosi dopietën personale në këtë takim, duke trefishuar edhe rezultatin e kësaj ndeshjeje. Megi Doçi ekzekutoi një goditje dënimi, ndërsa Berisha u gjend mirë në zonë, duke shënuar edhe golin e tretë për vajzat kuqeblu. Sakaq, sulmuesja e Vllaznisë, Megi Doçi vulosi shifrat në 4-1, pas një ekzekutimi perfekt të një goditjeje dënimi në favor të shkodraneve.
Me rezultatin 4-1 u mbyll kjo finale e 14 e Kupës së Shqipërisë për vajza, me Vllazninë që shpallet kështu fituese edhe në këtë kompeticion të rëndësishëm të futbollit shqiptar.
Në përfundim të ndeshjes, u zhvillua edhe ceremonia nga Federata e Futbollit, me anëtarin e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Abdyl Kuriu, i cili i dhuroi medaljet dhe Kupën e Shqipërisë vajzave të Vllaznisë.
Me këtë fitore, Vllaznia e vajzave shkon në 10 trofe të fituar në Kupën e Shqipërisë. Finalja e 14 e Kupës së Shqipërisë u ndoq me mjaft interes nga shumë tifozë të Vllaznisë e Apolonisë, të cilët ishin prezentë në Shtëpinë e Futbollit për të mbështetur skuadrën e tyre të zemrës.
Lini një Përgjigje