Ashtu siç pritej, Tirana kalon në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. Pasi kishte fituar 4-1 ndeshjen e parë në Kamëz ndaj Kastriotit, bardheblutë barazuan në kthim 2-2 në “Selman Stërmasi”, duke avancuar më tej me rezultatin e përgjithshëm 6-3.
Sfida u zhbllokua shumë shpejt nga Hasani në minutën e 13 nga pika e bardhë e penalltisë. Në minutën e 24, Najdovski dyfishoi shifrat për bardheblutë. Pjesa e parë u mbyll me fitoren e kampionëve të Shqipërisë me rezultatin e pastër 2-0.
Në pjesën e dytë edhe pse Kastrioti mbeti me 10 lojtarë arriti të barazonte shifrat. Iseni i Tiranës tentoi të largonte topin, por përfundoi duke shënuar golin e parë për Kastriotin. Në minutën e 82, Ajazi rivendosi baraspeshën me 11-metërsh.
Kështu Tirana kualifikohet për herë të 37 në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë.
Në ndeshjen tjetër, Teuta është kualifikuar në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, teksa eliminoi Kukësin në çerekfinale.
Pas ndeshjes së parë që u mbyll 2-0 për durrsakët, në ndeshjen e kthimit verilindorët fituan 2-1, por ky rezultat nuk mjaftoi për djemtë e Rrahman Hallaçit.
Gruda për Teutën dhe Rashiti e Taipi për Kukësin, ishin autorët e golave.
Durrsakët kualifikohen në gjysmëfinale me rezultatin e përgjithshëm 3-2, ndërsa verilindorët do të kërkojnë Europën nëpërmjet kampionatit.
Lini një Përgjigje