Goli i Saibarit vendosi ndeshjen në Boston, Skocia rrezikoi portën kundërshtare vetëm në minutat e fundit…
Maroku siguroi një fitore të rëndësishme 1-0 ndaj Skocisë në Grupin C, duke hedhur një hap të madh drejt fazës së ardhshme të turneut. Skuadra afrikane ishte dukshëm më e mirë gjatë gjithë takimit në Boston dhe, falë këtij suksesi, ngjitet në kuotën e katër pikëve, ndërsa në ndeshjen e fundit do të përballet me Haitin, në letër kundërshtarin më të lehtë të grupit. Skocia mbetet me tre pikë dhe në javën e fundit do të ketë përballë Brazilin. Bazuar në paraqitjen ndaj Marokut, skuadra e Steve Clarke nuk tregoi se meritonte më shumë nga kjo sfidë.
Maroku e nisi takimin në mënyrën më të mirë të mundshme. Në minutën e dytë, Brahim Diaz dha një pasim të shkëlqyer në thellësi dhe Abdelhamid Saibari depërtoi pas mbrojtjes skoceze, duke realizuar me qetësi për 1-0.
Afrikanët vazhduan të kontrollonin lojën dhe krijuan raste të tjera. Në minutën e 11-të, pas një topi të fituar në mesfushë, Azzedine Ounahi shërbeu në zonë, por dy bashkëlojtarët e tij nuk arritën të finalizonin. Shtatë minuta më vonë, presioni maroken detyroi sërish Skocinë në gabim, ndërsa Achraf Hakimi nuk arriti të mposhtte portierin Angus Gunn.
Në minutën e 38-të, Maroku iu afrua golit të dytë kur Saibari gjeti Bilal El Khannouss brenda zonës, por tentativa e këtij të fundit shkoi jashtë.
Skocia regjistroi rastin e saj të parë serioz vetëm në kohën shtesë të pjesës së parë. Pas një harkimi nga Robertson, John McGinn nuk arriti të godiste saktë dhe topi përfundoi jashtë.
Në pjesën e dytë, skocezët tentuan të dilnin më shpesh në sulm, por Maroku vazhdoi të ishte më i rrezikshëm. Në minutën e 51-të, El Khannouss shërbeu për Saibarin, goditja e të cilit devijoi në mbrojtje dhe u ndal nga shtylla. Menjëherë pas goditjes nga këndi, El Khannouss provoi me kokë, por Gunn reagoi në mënyrë spektakolare.
Rasti më i mirë i Skocisë erdhi në minutën e 63-të, kur Ryan Christie fitoi topin lart dhe provoi me një goditje nga distanca, por pa gjetur kuadratin.
Në minutat e fundit, Skocia shtoi presionin, por pa krijuar raste të pastra. Maroku, përkundrazi, mund ta kishte mbyllur ndeshjen në kohën shtesë, kur Talbi dhe Amaimouni shpërdoruan dy kundërsulme të mira.
Formacionet
Skocia (trajner: Steve Clarke): Gunn, Robertson, Hanley, Tierney (60’ Doak), Hendry, Patterson (88’ Ralston), McTominay, McGinn (88’ Stuart), Christie (71’ McLean), Ferguson, Adams (71’ Dykes).
Maroku (trajner: Mohamed Ouahbi): Bono, Hakimi, Diop, Riad, Mazraoui, Bouaddi, Ounahi (90’ El Mourabet), Saibari (83’ Rahimi), El Khannouss (83’ Talbi), El Aynaoui, Diaz (83’ Amaimouni).
Gjyqtar: Ilgiz Tantashev (Uzbekistan)
Kartonë të verdhë: Robertson, Ralston – Diop
Lini një Përgjigje