
Zhoze Murinjo, “perandori” i ri romak, vë në jetë një tjetër mrekulli. Pas vetëm një viti, “speciali” dërgon kryeqytetasit në një tjetër finale, akoma më të madhe, në finalen e Ligës së Europës. Portugezi “parkoi autobusin” përpara portierit Rui Patricio duke “fluturuar” në finalen e Budapestit me stilin e tij unik, me një mbrojtje të hekurt dhe pa goditur asnjëherë kuadratin. Këto janë shifra të vështira për t’u besuar, por në Leverkusen, në sfidën e kthimit kundër Bajerit, Roma e tij krijoi vetëm një rast për gol, por nuk goditi asnjëherë në portë, por iu falën fitores minimale 1-0 në sfidën e parë.
Bajer Leverkusen ushtroi presion nga minuta e parë deri tek e fundit, krijuan 23 raste për gol dhe goditën 6 herë kuadratin, goditën shtyllën, por në asnjë moment nuk arritën të gjenin prekje fituese, duke bërë që ndeshja e kthimit të mbyllej në barazim pa gola. Në fund kjo pati pak rëndësi për Murinjon, pasi kjo është hera e 6 që shkon në një finale evropiane, vetëm Xhovani Trapatoni ka bërë më mirë me 7 finale.
Kapiteni Pelegrini ja dedikoi këtë sukses Marash Kumbullës, i cili ka mbyllur sezonin, ndërsa Murinjo personave të prekur nga përmbytjet në Itali:
“Në Romë është një moment feste, por të mos harrojmë vuajtjet e njerëzve në Emilia Romanja. Shqetësimi im nuk është të jem pjesë e historisë së Romës, por të ndihmoj këta djem të rriten, të arrijnë gjëra të rëndësishme. Dua të ndihmoj tifozët romanë të cilët më kanë dhënë shumë që nga dita e parë. Është një gëzim i madh të arrijmë në një tjetër finale”, u shpreh Murinjo.
Lini një Përgjigje