
Armando Broja vazhdon të jetë në radarët e disa klubeve italiane, me Kaljarin që mbetet një nga skuadrat më të interesuara për të siguruar shërbimet e sulmuesit të Kombëtares shqiptare. Megjithatë, negociatat për transferimin e tij në Serinë A kanë pësuar një ngadalësim të ndjeshëm.
Sipas raportimeve të mediave italiane, Broja ka dhënë pëlqimin për t’iu bashkuar Kaljarit dhe është i gatshëm të vazhdojë karrierën në kampionatin italian. Pavarësisht kësaj, marrëveshja mes palëve nuk po arrin të finalizohet për shkak të pengesave financiare.
Një nga çështjet kryesore mbetet vlera e kërkuar nga Bërnli për kartonin e futbollistit. Klubi italian e konsideron shifrën të lartë dhe, për pasojë, bisedimet mes dy skuadrave kanë mbetur të bllokuara në këtë pikë.
Një tjetër faktor që po vështirëson transferimin është paga aktuale e Brojës në Angli. Raportohet se kushtet financiare të kontratës së tij tejkalojnë mundësitë dhe standardet e pagave që aplikon Kaljari.
Për rrjedhojë, edhe pse ekziston vullneti i palëve për të arritur një marrëveshje, aspekti ekonomik mbetet pengesa kryesore që po frenon kalimin e sulmuesit shqiptar në Serinë A.
Lini një Përgjigje