
Vetëm pak orë pas fitores dramatike 5-4 ndaj Bajernit të Mynihut në “Parc des Princes”, në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Champions League, PSG-ja ka marrë lajmin e keq. Mbrojtësi i krahut të djathtë, Ashraf Hakimi, ka pësuar një dëmtim që pritet ta lërë jashtë ndeshjes së kthimit.
Sipas informacionit paraprak, 27-vjeçari maroken ka pësuar një dëmtim në kofshë gjatë sfidës së mbrëmshme. Si pasojë, ai nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Luis Enrike për përballjen në “Allianz Arena”, një mungesë e ndjeshme për repartin mbrojtës të PSG-së.
Në vend të Hakimit, pritet që rolin në krahun e djathtë ta mbulojë Uarren Zaire-Emeri, megjithëse kjo mbetet për t’u konfirmuar nga stafi teknik.
Pavarësisht avantazhit minimal prej një goli, kualifikimi për në finalen e Champions League mbetet i hapur. Bajerni i Mynihut ka dëshmuar vazhdimisht forcën e tij në fushën e vet, duke e bërë ndeshjen e kthimit një sfidë të vështirë për ekipin parizien.
Lini një Përgjigje