FIFA po shqyrton një ndryshim të rëndësishëm rregullator që do të detyronte klubet të aktivizojnë të paktën një lojtar nën 21 vjeç në formacionin titullar. Sipas mediave ndërkombëtare, iniciativa është në fazë të avancuar diskutimi dhe mund të zbatohet duke filluar nga viti 2027.
Burime pranë FIFA-s bëjnë me dije se drafti është hartuar nga disa komisione dhe ka marrë një miratim fillestar nga Këshilli i organizatës. Diskutimet e fundit mes presidentëve të gjashtë konfederatave janë raportuar si pozitive, çka rrit gjasat për miratimin përfundimtar të këtij rregulli.
Ky propozim nuk konsiderohet thjesht teorik, por pjesë e një plani të detajuar që synon të ndryshojë mënyrën e aktivizimit të lojtarëve të rinj në nivelet më të larta të futbollit.
Objektivi kryesor i FIFA-s është nxitja e zhvillimit dhe integrimit të talenteve të reja në ekipet profesioniste. Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve të ardhshme pritet të fokusohet te përkufizimi i saktë i “lojtarit vendas” (home-grown player), pasi aktualisht ekzistojnë dallime të mëdha mes konfederatave.
Vendosja e një standardi të unifikuar synon të krijojë kushte më të barabarta dhe të inkurajojë përdorimin e rregullt të lojtarëve të rinj në ndeshje zyrtare.
Në Premier Ligë, rregullat aktuale kufizojnë numrin e lojtarëve “jo vendas” në 17 nga një listë prej 25 futbollistësh, duke rezervuar tetë vende për lojtarë të rritur në akademi. Megjithatë, këto rregulla nuk përfshijnë detyrimin për aktivizimin e tyre në fushë dhe as nuk aplikohen për lojtarët nën 21 vjeç.
Gjatë sezonit aktual, klube si Njukasëlli, Mançester Siti dhe Mançester Junajtid kanë regjistruar më shumë minuta me lojtarë anglezë U-21. Veçanërisht, “Djajtë e Kuq” mbajnë një rekord historik, duke përfshirë të paktën një lojtar të akademisë në skuadër për 88 vite radhazi. Në kontrast, skuadra si Lids dhe Bërnli nuk kanë aktivizuar asnjë lojtar të kësaj moshe gjatë sezonit 2025-2026.
Vendosja e një kuote të detyrueshme për lojtarët U-21 pritet të ndikojë ndjeshëm në strategjitë e klubeve në merkato. Lojtarët e formuar në akademi konsiderohen si burim fitimi i pastër në rast shitjeje, duke ndihmuar klubet të respektojnë rregullat financiare si ato të Rentabilitetit dhe Qendrueshmërisë (PSR).
Lini një Përgjigje