TAGS-AT E JAVËS

Sport29 Prill 2026, 18:45

U dënua me 4 vite përjashtim pas përdorimit të substancës doping, sulmuesi i Çelsit apelon vendimin

Shkruar nga Pamfleti
U dënua me 4 vite përjashtim pas përdorimit të
mikhailo mudrik

Sipas "BBC Sport", anësori i Çelsit, Mykhailo Mudrik, ka paraqitur një apel në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) kundër dënimit katërvjeçar për doping të vendosur nga Federata Angleze e Futbollit (FA).

Futbollisti ukrainas është jashtë fushave prej afro 18 muajsh, pasi një “rezultat i pafavorshëm në një test rutinë urine” çoi në pezullimin e përkohshëm në dhjetor 2024. Ai u akuzua zyrtarisht në qershor 2025 dhe më pas mori dënimin maksimal katërvjeçar, sipas një zëdhënësi të CAS, institucioni më i lartë juridik në sport.

FA nuk ka bërë publike detajet e çështjes.

Në raste të tilla, dënimet zakonisht llogariten që nga data e pezullimit fillestar, çka do të thotë se Mudrik mund të rikthehet rreth dhjetorit 2028. Megjithatë, burime pranë lojtarit shprehen optimistë se ai mund të rikthehet në fushë që sezonin e ardhshëm, në varësi të vendimit të apelimit.

Në një deklaratë për "BBC Sport", CAS konfirmoi: “CAS konfirmon se ka marrë apelimin nga Mikhailo Mudrik kundër FA, i depozituar më 25 shkurt 2026. Palët po shkëmbejnë aktualisht parashtresat me shkrim dhe ende nuk është caktuar një seancë dëgjimore.”

Sipas "BBC", Mudrik dyshohet se ka rënë në kontakt me medikamentin kardiovaskular meldonium gjatë angazhimit me kombëtaren e Ukrainës në tetor 2024. Kjo substancë mund të rrisë kapacitetin respirator dhe qendrueshmërinë fizike.

Mudrik, i cili iu bashkua Çelsit në janar 2023 për një shumë fillestare prej 70 milionë eurosh, nuk ka luajtur ndeshje zyrtare që nga nëntori 2024. Në reagimin e tij të vetëm publik pas pezullimit, ai shprehu “tronditje të plotë” dhe deklaroi se “nuk ka përdorur kurrë me vetëdije substanca të ndaluara dhe nuk ka shkelur rregullat”.

Mbrojtja ligjore e tij po kryhet nga firma "Morgan Sports Law", e cila ka përfaqësuar më parë Pol Pogba, Tajson Furi dhe Kris Frume në çështje të ngjashme.

Sipas burimeve, lojtari synon të rikthehet në fushë gjatë këtij viti dhe po ruan formën fizike duke u stërvitur me ekipin amator Uksbrixh FC, nën drejtimin e një trajneri personal.

Çelsi ka refuzuar të komentojë deri në përfundimin e procesit, ndërsa FA ka deklaruar se nuk mund të japë informacion për një çështje në zhvillim. Edhe ekipi ligjor i Mudrik është kontaktuar për koment.

Mudrik ka mohuar vazhdimisht çdo shkelje të rregullave antidoping. Gjatë periudhës së tij me Çelsin, ai ka zhvilluar 73 ndeshje dhe ka shënuar 10 gola.

mikhailo mudrik sulmuesi i çelsit

Lini një Përgjigje