Zhoze Murinjo ka ndarë vlerësimet e tij për skuadrat favorite në Botërorin e këtij viti, duke përmendur disa prej emrave më të fortë në skenën ndërkombëtare dhe duke reflektuar njëkohësisht mbi të ardhmen e tij si trajner.
Tekniku portugez theksoi se Portugalia mbetet një nga pretendentët kryesorë, falë potencialit që ka në përbërje. Ai u ndal edhe te Brazili, duke nënvizuar ndikimin e mundshëm të Karlo Ançelotit në drejtimin e skuadrës: sipas tij, Brazili ndryshon ndjeshëm me trajnerin italian në stol dhe mund të konsiderohet seriozisht për titullin.
Në analizën e tij, Murinjo përfshiu edhe Argjentinën, kampione në fuqi, të cilën e cilësoi si një ekip të konsoliduar, të bashkuar dhe me frymë të fortë kolektive. Po ashtu, ai përmendi Francën si një tjetër pretendente të fortë, duke theksuar thellësinë dhe cilësinë e lartë të përbërjes, që sipas tij mund të formojë disa skuadra konkurruese. Për Anglinë, Murinjo u shpreh se momenti i tyre mund të vijë në të ardhmen.
Duke folur për fazat e turneut, ai ironizoi pjesëmarrjen e disa ekipeve, duke thënë se shumë prej tyre arrijnë deri në çerekfinale vetëm për t’u eliminuar, ndërsa “festa e vërtetë” nis pikërisht në këtë fazë.
Në fund, Murinjo preku edhe çështjen e së ardhmes së tij profesionale. Pavarësisht spekulimeve për një rikthim të mundshëm në klube të mëdha, ai la të kuptohet se nuk e sheh veten ende në rolin e trajnerit të një kombëtareje. Sipas tij, mungesa e ritmit të përditshëm të futbollit të klubeve, stërvitjet, ndeshjet e shpeshta dhe emocionet që i shoqërojnë, e bën të vështirë për ta imagjinuar një ndryshim të tillë në këtë moment.
Lini një Përgjigje