Botërori 2026, që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë, është gati të nisë rrugëtimin e tij, ndërsa kombëtaret më të forta të globit ëndërrojnë ngritjen e trofeut më të lakmuar të futbollit. Finalja e madhe do të luhet në New York, ku një tjetër faqe e historisë së futbollit do të shkruhet.
Përtej garës për titullin botëror, ky edicion pritet të sjellë edhe sfida individuale që mund të ndryshojnë rekordet e kompeticionit. Vëmendja më e madhe është përqendruar te Lionel Mesi dhe Kilian Mbape, dy prej yjeve më të mëdhenj të futbollit modern.
Argjentinasi dhe francezi jo vetëm që konsiderohen mes favoritëve për të udhëhequr kombëtaret e tyre drejt suksesit, por janë gjithashtu në garë për të thyer një rekord historik. Miroslav Klose mban aktualisht rekordin e golashënuesit më të mirë në historinë e Botërorëve me 16 gola, një shifër që tashmë duket e kërcënuar seriozisht.
Për Lionel Mesin, Botërori 2026 mund të jetë paraqitja e fundit në skenën më të madhe të futbollit. Vetë kapiteni i Argjentinës ka pranuar në muajt e fundit se ky ka shumë gjasa të jetë turneu i tij i fundit botëror. Me 13 gola të shënuar në Kupat e Botës, Mesi ndodhet vetëm tre gola larg rekordit të Kloses dhe ka mundësinë ideale për të hyrë në histori.
Megjithatë, rruga drejt rekordit nuk do të jetë e lehtë. Në garë është edhe Kilian Mbape, i cili në moshën 27-vjeçare ka shënuar tashmë 12 gola në Botërorë. Sulmuesi francez ka dëshmuar instinkt të jashtëzakonshëm para portës dhe konsiderohet një nga armët kryesore të Francës në këtë turne.
Me një kombëtare që renditet mes pretendenteve kryesore për trofeun, Mbape ka mundësinë jo vetëm të fitojë Kupën e Botës, por edhe të rrëzojë nga froni legjendën gjermane Miroslav Klose. Kështu, Botërori 2026 mund të sjellë jo vetëm një kampion të ri bote, por edhe një mbret të ri të golit në historinë e këtij kompeticioni.
Lini një Përgjigje