
Adnan Januzaj është larguar si i padëshiruar nga Sevija. Klubi i elitës së futbollit spanjoll ka preferuar ta huazojë te Las Palmas.
Përfundimin e operacionit me sukses e ka njoftuar klubi i Sevijas përmes rrjeteve sociale. 29-vjeçari kështu do të duhet të veshë tjetër fanelë për këtë sezon.
I stërvitur tek Anderleht dhe Mançester Junajtid, Januzaj ra në sy te ‘Djajtë e Kuq’, ku pati sezone të mira. Megjithatë, sulmuesi filloi të rëndohej nga dëmtimet dhe pas huazimeve të pasuksesshme te Borusia e Dortmundit dhe Sandërlendi, ai kaloi te Real Sociedad, në këmbim të 8.5 milionë eurove.
Në “San Sebastián“, ai përjetoi periudhat më të mira të karrierës së tij dhe tregoi të gjithë talentin e tij. Në pesë sezone, ai luajti 168 ndeshje, duke shënuar 22 gola dhe 22 asiste.
Në fillim të sezonit 2022-2023, ai iu bashkua Sevijas në një transferim të lirë, por nuk arriti të vendoset në klubin andaluzian, pasi ishte huazuar tek Istanbul Bashaksehir në Turqi, në gjysmën e dytë të atij sezoni.
Vitin e kaluar, ai luajti në 11 ndeshje për andaluzët. Pa hapësirë në klubin e Sevijas, lojtari 29-vjeçar tani shkon në Ishujt Kanarie dhe Las Palmas, ku shpreson të luajë përsëri rregullisht.
Lini një Përgjigje