Sport 9 Qershor 2023, 16:24

“Silvinjo më ka në planet e tij”, Bajrami tregon bisedën me trajnerin: Gati për të dhënë maksimumin, ndaj Moldavisë vetëm për 3 pikët

Shkruar nga Pamfleti

“Silvinjo më ka në planet e tij”, Bajrami tregon

Adrian Bajrami është një nga të grumbulluarit e trajnerit Silvinjo. Pasi ka lënë pas dëmtimin e rëndë, mbrojtësi 21- vjeçar u shpreh se është gati për të dhënë më të mirën, pasi dëmtimin e ka kaluar.

Dëmtimi? Jam i lumtur që jam në Kombëtare. Kisha dëmtim të rëndë, por jam 100% dhe jam gati. Për mbrojtës si Gjimshiti dhe Ismajli, janë pjesë e futbollit. Jam, gati për të dhënë maksimumin.

Silvinjo? Është trajner i ri. Unë dhe ai kemi folur për shumë kohë. Më ka takuar në Portugali dhe jam shumë i lumtur që jam pjesë e skuadrës.

Titullar? Mbetet për t’u parë, e vendos trajneri. Do të jap maksimumin në çdo stërvitje ashtu si të gjithë të tjerët. Do të kemi besim sepse luajmë në shtëpi dhe do të tregojmë më të mirën.

Kombinimet? Trajneri ka ide të qarta dhe na tregon se çfarë pret nga ne. Ne mundohemi të bëjmë më të mirën dhe atë që ai na kërkon.

Biseda me Silvinjon? Ai më kërkoi të mos mërzitem sepse jam i ri dhe ishte dëmtim i rëndë. Ai më ka në planet e tij, më sheh për të ardhmen dhe më dha besim.

Skuadrat e vogla? Nuk ka skuadra të lehta. Të gjitha janë të vështira dhe duhet të japim maksimumin e të jemi të fokusuar se çfarë ndodh në fushë.

Sezoni i ri? Kam edhe 2 vite kontratë me Benfikën. Ëndrra ime është të jem pjesë e ekipit të parë, por futbollit nuk i dihet. Jam në Kombëtare dhe pas Kombëtares do të shoh se çfarë sjell e ardhmja”, tha Bajrami.

adrian bajrami mbrojtësi kuqezi