Kombëtarja shqiptare e futbollit u mposht minimalisht 0-1 nga Izraeli në ndeshjen e parë miqësore të zhvilluar të mërkurën. Kuqezinjtë do të rikthehen në fushë të shtunën, kur do të përballen me Luksemburgun në stadiumin “Air Albania”, duke nisur nga ora 20:00.
Pas sfidës me Izraelin, mbrojtësi Mario Mitaj dha një intervistë për kanalin zyrtar të Federatës Shqiptare të Futbollit, ku vlerësoi paraqitjen e skuadrës pavarësisht rezultatit negativ.
“Të them të drejtën, për mua ishte një test pozitiv. Bëmë një ndeshje të mirë me shumë gjëra pozitive. Normalisht duhet të kemi dhe gjërat negative që duhet t’i përmirësojmë. Besoj që thjesht duhet të sistemojmë disa gjëra me trajnerin dhe në të ardhmen duhet të kemi rezultate sa më pozitive”, u shpreh Mitaj.
Duke komentuar ndeshjen e ardhshme ndaj Luksemburgut, mbrojtësi theksoi se kundërshtari nuk ka të njëjtin nivel cilësor si Izraeli, por mbetet një provë e rëndësishme për ekipin.
“Në aspektin e cilësisë nuk janë në të njëjtin nivel si Izraeli, por besoj se do të jetë një test i mirë për ne, pasi përpara kemi ndeshje zyrtare. Në këtë takim mund të provohen edhe lojtarë të tjerë që trajneri dëshiron t’i vlerësojë”, deklaroi ai.
Mitaj nënvizoi rëndësinë e ndeshjeve miqësore në prag të angazhimeve zyrtare të Kombëtares.
“Besoj se është gjithmonë mirë që t’i luajmë ndeshjet miqësore dhe të shohim se në çfarë gjendje jemi dhe çfarë duhet të përmirësojmë”, tha mbrojtësi kuqezi.
Në fund, 21-vjeçari shprehu mirënjohjen për tifozët shqiptarë, duke e cilësuar si privilegj përfaqësimin e fanellës kuqezi.
“Për mua është një krenari të luaj për Shqipërinë. Më pëlqen shumë kur vij këtu, sepse tifozët na kanë mbështetur gjithmonë. Një falënderim i madh për mbështetjen që na kanë treguar në çdo ndeshje”, përfundoi Mitaj.
Lini një Përgjigje