TAGS-AT E JAVËS

Sport 4 Qershor 2026, 16:49

Kryeqytetasit konfirmojnë vendimin e fundit, Orges Shehit i hapet rruga

Shkruar nga Pamfleti
Kryeqytetasit konfirmojnë vendimin e fundit, Orges Shehit i hapet rruga
Orges Shehi

Orges Shehi i dha fund bashkëpunimit me Tiranën pas vetëm disa muajsh në krye të skuadrës, periudhë gjatë së cilës arriti të sigurojë mbijetesën e bardhebluve në elitën e futbollit shqiptar.

Më herët, “Panorama Sport” raportoi ekskluzivisht për interesimin e Prishtinës ndaj teknikut shqiptar, ndërsa më pas në skenë u shfaq edhe Shkëndija e Tetovës si një tjetër mundësi për të ardhmen e tij.

Zhvillimet e fundit në klubin kosovar duket se i kanë hapur rrugë një afrimi të mundshëm të Shehit. Prishtina ka njoftuar ndarjen e bashkëpunimit me trajnerin Alban Dragusha, duke lënë vakant postin e drejtuesit të skuadrës.

Megjithatë, deri në këto momente nuk ka raportime për kontakte apo negociata të avancuara mes Prishtinës dhe Orges Shehit. Mbetet për t’u parë nëse trajneri shqiptar do ta konsiderojë klubin kryeqytetas si destinacionin e tij të ardhshëm.

Njoftimi i Prishtinës:

“FC Prishtina njofton se me marrëveshje të dyanshme është ndërprerë bashkëpunimi me trajnerin Alban Dragusha.

Dragusha udhëhoqi ekipin tonë në 11 ndeshje gjatë fazës së fundit të kampionatit, duke dhënë kontributin e tij profesional dhe përkushtimin maksimal për klubin.

Klubi e falënderon trajnerin Alban Dragusha për punën dhe angazhimin e treguar gjatë kësaj periudhe, duke i uruar njëkohësisht shumë suksese në vazhdim të karrierës së tij”.

orges shehi ish-trajneri i tiranës prishtina

Lini një Përgjigje