Sport17 Mars 2023, 17:55

U zgjodh në krye të FIFA-s edhe për 4 vitet e ardhshme në një garë pa kundërshtarë, Infantino mik i Putinit, tifoz i Interit dhe poliglot

Shkruar nga Pamfleti

U zgjodh në krye të FIFA-s edhe për 4 vitet e ardhshme në

Në kongresin e fundit të FIFA-s të mbajtur në Ruanda, Xhani Infantino është zgjedhur edhe për katër vite të tjera në krye të qeverisë botërore të futbollit.

Në një garë pa kundërshtarë, zviceranit i është besuar të drejtojë futbollin botëror, ndonëse kritikat për drejtimin që ai ka bërë në mandatin që mbylli kanë qenë jo të pakta. Portali gjerman “Sport.de” i ka bërë një analizë figurës së Infantinos, ku zbulon disa aspekte të jetës së tij private, duke përfshirë edhe familjen.

Familjar- Xhani Infantino është martuar me libanezen Lena Al-Ashqar. Njohja e tij me bashkëshorten aktuale ka ndodhur në vitin 2000, kur Al-Ashqar punonte si sekretare në Federatën Libaneze të Futbollit. Çifti ka katër fëmijë. Fëmijët jetojnë në Katar me gjyshërit.

Poliglot- Si president i FIFA-s, ai është shpesh larg shtëpisë dhe gjithnjë në lëvizje në kontakt të përditshëm me kultura e vende të ndryshme. Babai i katër vajzave flet shtatë gjuhë të ndryshme: gjermanisht, anglisht, italisht, spanjisht, arabisht, frëngjisht dhe portugalisht.

Tifozi i Interit- Edhe pse ka lindur në Zvicër, prindërit e Xhani Infantinos janë të dy nga Italia. Ndaj ka zgjedhur Serinë A, ku klubi i tij i preferuar vjen nga Milano. “Zemra” e avokatit rreh për Interin.

Bullizmi në fëmijëri- Pasuria e tij thuhet se është rreth 20 milionë euro, kjo është një nga arsyet pse Infantino ka mbërritur në “elitën” e shoqërisë. Por rrugëtimi deri në majë ka qenë plot pengje dhe sakrifica, sipas vetë atij. Zvicerani ka deklaruar se ka luftuar me bullizmin në fëmijërinë e tij, deklaratë që e bëri hapur në ceremoninë e hapjes së kampionatit botëror në Katar, duke krijuar dhe jo pak keqkuptime.

Infantino dhe Putini- Infantino vlerësohet nga shumë krerë shtetesh – veçanërisht nga shoqatat më të vogla, të cilat ai i mbështet financiarisht – por veçanërisht nga Vladimir Putin. Njohja e presidentit rus shkon aq larg sa ai i dha shefit të FIFA-s “Urdhrin e Miqësisë” në vitin 2019 si falenderim për suksesin në Botërorin “Rusi 2018”.

Gati amator- Avokati zviceran që drejton qeverinë botërore të futbollit ka dhe një të kaluar si futbollist aktiv. Në rininë e tij ka luajtur për klubin zviceran të Kategorisë së Pestë “FC Folgore”, pa ndonjë sukses për t’u theksuar. Pas studimeve në Frajburg, Infantino u përqendrua plotësisht në punën zyrtare dhe tani është në krye të botës së futbollit dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë për 4 vitet në vijim.

xhani infantino presidenti i fifa-s