Sport27 Gusht 2023, 18:03

Vershtapen merr fitoren e 9 radhazi dhe të tretën në shtëpinë e tij, shi, aksidente dhe flamuj të kuq në garën e Holandës në F1

Shkruar nga Pamfleti

Vershtapen merr fitoren e 9 radhazi dhe të tretën në

Maks Vershtapen me Red Bull fitoi sot pasdite garën e Çmimit të Madh të Holandës në Formula 1, suksesi i 9 radhazi për pilotin holandez, që dominon botërorin dhe kryeson i shkëputur renditjen. Ai barazon rekordin e Sebastian Vetel me 9 fitore radhazi vendosur dhjetë vite me parë, në një garë mjaft interesante, sidomos në fillimin e fundin e saj, kur binte shi. 

Një garë mjaft emocionuese, pas shiut që nisi menjëherë pas startit, që i kushtoi kreun Vershtapenit, që e rimori pas 10 xhirosh. Edhe në fundin e garës ka sërish shi, duke detyruar komisarët e garës të valëvisin flamurin e kuq, 7 xhiro nga fundi dhe pas një seri aksidentesh. Më herët, në mesin e garës, në pistë hyri edhe makina e sigurisë, kur u aksidentua Sargeant. 

Një garë që u bë kaotike për shkak të shiut dhe pilotëve që hynin në bokse për të ndërruar gomat, duke e lënë të hapur emrin e fituesit deri në fund. Gjithsesi, Vershtapen arriti të mbrojë kreun, duke e merituar fitoren (e treta radhazi në shtëpinë e tij), ndërkohë që në podium bashkë me të u ngjitën edhe Fernando Alonso (Aston Martin) e Pier Gasli (Alpine), që përfitoi nga penaliteti që mori Serxhio Perez (i katërti). 

Shiu dhe disa incidente në start bënë që strategjitë e pilotëve të ishin të ndryshme. Gjithsesi, një garë për t’u harruar për Çarls Lëklerk që e braktisi atë në mesin e saj, me Ferrarin që vuajti shumë, ashtu sikurse edhe Mercedes, që nuk ishte mes më të mirave. Në fund, gara rinisi nën regjimin e makinës së sigurisë me pilotët që e mbyllën garën me gomat e ndërmjetme. 

Pas treshes së podiumit, në zonën e pikëve u renditën edhe Karlos Sainz (Ferrari), Luis Hemilton (Mercedes), Lando Norris (MekLaren), Aleksander Albion (Uilliams), Oskar Piastri (MekLaren) dhe Esteban Okon (Alpine). Gara e radhës është në Itali. 

maks vershtapen çmimi i madh i holandës formula 1