TAGS-AT E JAVËS

Sport 9 Korrik 2026, 21:58

Vllaznia përmbys Malishevën, shkodranët me hap të sigurt drejt raundit tjetër të Ligës së Konferencës

Shkruar nga Pamfleti
Vllaznia përmbys Malishevën, shkodranët me hap të sigurt
Skuadra e Vllaznisë

Skuadra shkodrane shkëlqen në ndeshjen e parë...

Vllaznia e ka nisur me fitore aventurën në Ligën e Konferencës, duke mposhtur 2-1 Malishevën në ndeshjen e parë të raundit të parë eliminator, të zhvilluar në stadiumin "Loro Boriçi".

Takimi nisi në mënyrën më të keqe për ekipin shkodran, pasi miqtë kaluan në avantazh që në minutën e tretë. Laurent Xhylani realizoi një gol spektakolar direkt nga goditja e këndit, duke surprizuar portierin vendas dhe duke i dhënë epërsinë Malishevës.

Reagimi i Vllaznisë erdhi në minutën e 36-të. Pas një kundërsulmi të shpejtë dhe asistit të Rrok Tomës, Klint Qato finalizoi saktë me të djathtën, duke rikthyer baraspeshën. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-1.

Në fillim të pjesës së dytë, ndeshja mori një tjetër rrjedhë, pasi Malisheva mbeti me 10 lojtarë. Skovgard u ndëshkua me karton të kuq pas ndërhyrjes si lojtari i fundit ndaj Gerald Kubazit.

Epërsia numerike u shfrytëzua nga Vllaznia, e cila gjeti golin e fitores me Emiljano Mustën. Mbrojtësi ekzekutoi në mënyrë perfekte një goditje dënimi, duke shënuar golin e tij të parë me fanellën kuqeblu dhe duke vulosur suksesin 2-1 të shkodranëve.

Ndeshja e kthimit mes dy skuadrave do të zhvillohet pas një jave dhe do të përcaktojë ekipin që avancon në raundin e dytë të Ligës së Konferencës.

Në një tjetër përballje të raundit të parë eliminator, Shkëndija e Tetovës hodhi një hap të madh drejt kualifikimit. Skuadra maqedonase triumfoi 5-0 në transfertë ndaj Europa FC në Gjibraltar. Golat u realizuan nga Ndzengue në minutën e 28-të, Tamba në minutat 52 dhe 75, Kryeziu në të 83-ën dhe veterani Besart Ibraimi në minutën e 88-të.

vllaznia liga e konferencës malisheva

Lini një Përgjigje