TAGS-AT E JAVËS

Sport 9 Qershor 2026, 22:55

Zyrtare/ Arbeloa largohet nga Reali i Madridit, Mourinho gati të rikthehet në pankinën e “Los Blancos”

Shkruar nga Pamfleti
Zyrtare/ Arbeloa largohet nga Reali i Madridit, Mourinho gati të rikthehet
Alvaro Arbeloa

Real Madrid ka zyrtarizuar largimin e Alvaro Arbeloas nga drejtimi i skuadrës së parë, duke mbyllur një eksperiencë që zgjati pak më shumë se pesë muaj.

Lajmi u konfirmua nga vetë klubi madrilen përmes një komunikate zyrtare të publikuar në faqen e tij, ku falënderon ish-mbrojtësin spanjoll për kontributin e dhënë gjatë viteve në klub.

Real Madrid dhe Alvaro Arbeloa kanë arritur një marrëveshje për t’i dhënë fund eksperiencës së tij si trajner i skuadrës së parë. Klubi i është thellësisht mirënjohës Alvaro Arbeloas, i cili gjatë gjithë rrugëtimit të tij, që nga koha në akademinë tonë, ka treguar besnikëri, përkushtim dhe profesionalizëm. Ai mishëron vlerat e klubit tonë. Real Madrid, që do të jetë gjithmonë shtëpia e tij, i uron Alvaro Arbeloas dhe familjes së tij më të mirat në këtë fazë të re të jetës së tyre”, thuhet në komunikatën e klubit.

Largimi i Arbeloas nuk ka zgjatur shumë në kohë për të nxitur spekulime, pasi mediat pranë klubit raportojnë se drejtuesit madrilenë kanë zgjedhur tashmë pasuesin e tij.

Sipas raportimeve, Jose Mourinho është trajneri i përzgjedhur për të marrë drejtimin e skuadrës dhe pritet vetëm njoftimi zyrtar për rikthimin e portugezit në “Santiago Bernabeu”.

Për Mourinhon do të ishte një rikthim i bujshëm në Madrid, aty ku ai drejtoi skuadrën në periudhën 2010-2013, duke fituar një kampionat, një Kupë të Mbretit dhe një Superkupë të Spanjës, ndërsa la gjurmë në një nga epokat më të forta të rivalitetit mes Realit dhe Barcelonës.

Tashmë vëmendja është përqendruar te komunikata e radhës e klubit madrilen, e cila pritet të konfirmojë zyrtarisht rikthimin e “Special One” në stolin e Real Madridit.

alvaro arbeloa real madrid

Lini një Përgjigje