Pak orë para finales së madhe të Kupës së Botës kundër Spanjës, Lionel Mesi ka prekur zemrat e tifozëve argjentinas me një letër të hapur, e cila është interpretuar nga shumëkush si një mesazh lamtumire ndaj Kombëtares.
Kapiteni 39-vjeçar i Argjentinës theksoi se vlera më e madhe e rrugëtimit të tij me fanellën "albiceleste" nuk kanë qenë vetëm trofetë, por gjithçka që ka përjetuar së bashku me grupin gjatë viteve.
“Gjëja më e bukur e gjithë këtyre viteve nuk kanë qenë vetëm trofetë, por i gjithë rrugëtimi. Të ndash përditshmërinë me këtë grup, të garosh së bashku, të ngrihesh pas momenteve të vështira dhe të shijosh çdo hap të bërë”, shkroi Mesi.
Në letrën e tij, fituesi i shumë trofeve falënderoi bashkëlojtarët, trajnerët dhe të gjithë ata që punojnë çdo ditë pranë përfaqësueses argjentinase, duke e cilësuar Kombëtaren si një familje të vërtetë.
“Faleminderit secilit prej shokëve të skuadrës, stafit teknik dhe të gjithë njerëzve që punojnë çdo ditë për ta mbajtur këtë Kombëtare si një familje.”
Në fund të mesazhit, Mesi theksoi se, pavarësisht rezultatit të finales, kjo skuadër ka hyrë tashmë në historinë e futbollit argjentinas.
“Çfarëdo që të ndodhë nesër (sot), ky grup ka shkruar tashmë një histori që nuk do ta harrojmë kurrë dhe që askush nuk do të mund ta fshijë. Vamos, Argjentina!”
Finalja ndaj Spanjës pritet të jetë një nga sfidat më të rëndësishme të karrierës së Lionel Mesit. Nëse ky do të jetë vërtet Botërori i tij i fundit, legjenda argjentinase synon ta mbyllë aventurën me një tjetër titull botëror, duke kurorëzuar në mënyrën më të lavdishme një nga karrierat më të mëdha në historinë e futbollit.
Lini një Përgjigje