
Në 110 vjetorin e Gjykatës së Lartë ka folur edhe kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj.
Gjatë fjalës së saj në konferencë, Zaçaj përsëriti rëndësinë që të gjithë duhet të jenë të barabartë përpara ligjit pavarësisht postit apo pozicionit të një personi.
“Gjykatat janë funksionale pas reformës në drejtësi. Askush nuk mund dhe nuk duhet të jetë mbi ligjin. As vetë gjyqtari, asnjë ligjbërës, asnjë politikan, asnjë nëpunës. Të gjithë duhet të jenë të parabartë përpara ligjit”, u shpreh kryetarja e Gjykatës Kushtetuese.
Ndërkohë, kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor Naureda Llagami tha se Gjykata e Lartë duhet të jetë në vijën e parë të përpjekjeve për besim tek drejtësia.
Kujtojmë se Holta Zaçaj është zgjedhur kryetarja e re e Gjykatës Kushtetuese. Pas dështimit të 2 raundeve të para, pasi asnjë prej kandidateve nuk mundi që të marrë shumicën e votave, Zaçaj është zgjedhur në raundin e tretë me 5 vota. Në garë ishte edhe Fiona Papajorgji e cila mori 3 vota dhe Marjana Semini e cila mori 1 votë. Zaçaj ishte gjyqtarja e fundit që u emëruar duke plotësuar kështu me 9 anëtarët e nevojshme këtë Gjykatë, e ndërsa sot u shpall fituese në këtë garë të fortë mes 3 gravë.
Zaçaj bëhet kështu kryetarja e parë e Gjykatës Kushtetuese të ‘reformuar’ pas implementimit të reformës në drejtësi. Ajo bëhet e para drejtuese e zgjedhur e Kushtetueses që pas largimit prej vettingut të gjyqtarit Bashkim Dedja, postin e të cilit e mbajti pa u zgjedhur Vitore Tusha.
Holta Zaçaj vjen nga një karrierë e gjatë në fushën e drejtësisë, ku edhe ka mbajtur një sërë postesh të rëndësishme, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Zaçaj ka qenë juriste, avokate, aktiviste e të drejtave të njeriut, lektore dhe autore e disa studimeve në fushën e jurisprudencës.
Lini një Përgjigje