Aktualitet25 Qershor 2024, 17:16

Apeli la në fuqi dënimin për Belerin, Doçi: Mesazh i qartë për Berishën dhe Metën që e zgjodhën kandidat

Shkruar nga Pamfleti

Apeli la në fuqi dënimin për Belerin, Doçi: Mesazh i

Gazetari Adriatik Doçi ka komentuar vendimin e Gjykatës së Apelit të Posaçëm e cila dënoi sot Fredi Belerin me 2 vite burg, duke lënë kështu në fuqi vendimin e GJKKO-së.

Ai u shpreh se ky vendim, ishte mesazh i qartë nga Shqipëria për Athinën zyrtare. Doçi shtoi se është edhe një mesazh për Sali Berishën dhe Ilir Metën, të cilët e vendosën Belerin si kandidat për zgjedhjet në Bashkinë e Himarës.

“Vendimi është mesazh që drejtësia dhe Shqipëria i jep Athinës zyrtare. Po ashtu, ky vendim është edhe një mesazh për ata që janë pjesë e linjës së Berishës dhe Ilir Metës. Beleri është peshqesh dhe një lloj skenari i Berishës dhe Metës për qëllime të caktuara politike, ata e kandiduan qëllimisht në Himarë, atë sepse mund të kishin zgjedhur edhe një përfaqësues tjetër. Ai akuzohet për Masakrën e Peskopisë dhe ende nuk është ndëshkuar për atë dhe këtë lloj personazhi Meta dhe Berisha e paraqesin dhe e vendosin si kandidatë në Himarë”, tha ai.

Doçi u shpreh gjithashtu se ky vendim ishte i pritshëm, ndërsa sipas tij tani i hapet rrugë zgjedhjeve për kryetar të bashkisë së Himarës. Gazetari shton se nuk ka asnjë mundësi të kandidojë më pasi është subjekt i ndalimit të parashikuar nga ligji për dekriminalizimin.

"Vendimi ishte i pritshëm dhe ka pasur raste kur gjykata e Apelit është treguar më e ashpër se Gjykata e Shkallës së parë, vepra e tij parashikohej deri në 5 vite burg. Vendimi është i formës së prerë dhe nga sot Beleri konsiderohet i dënuar për veprën penale të korrupsionit aktiv në zgjedhje dhe me këtë vendim i hapet rruga zgjedhjeve të reja në bashkinë e Himarës. Vendimi i gjykatës së Apelit me këtë vendim automatikisht vihet në lëvizje presidenti që të shpallë zgjedhjet e pjesshme në Himarë. Ai mund të lirohet nga burgu në shtator, edhe nëse presidenti i shpall zgjedhjet në vonë, nuk ka asnjë hapësirë që të kandidojë më sepse është subjekt i ndalimit të parashikuar nga ligji për dekriminalizimin", u shpreh ai për “Report TV”.