Aktualitet21 Dhjetor 2023, 08:37

Berisha paralajmëroi kaos, policia 'blindon' Kuvendin

Shkruar nga Pamfleti

Berisha paralajmëroi kaos, policia 'blindon' Kuvendin

Rreth 800 efektivë policie kanë rrethuar Parlamentin

Teksa Kuvendi do të mblidhet sot për të miratuar kërkesën e SPAK për arrestimin e Sali Berishës, ky i fundit ka thirrur protestë para ambienteve të Kuvendit.

Forca të shumta policie kanë rrethuar Parlamentit, ndërsa janë vendosur kamera me rezolucion të lartë për të identifikuar protestuesit në rast incidentesh.

Efektivët e angazhuar për protestën janë nga Policia e Tiranës dhe Forcat e Sigurisë Kombëtare (ish-FNSH).

Masat janë marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në koordinim me DVP Tiranë.

Në perimetrin e parlamentit janë instaluar kamera me rezolucion të lartë për të identifikuar çdo lëvizje  të protestuesve që policia të ketë të gjitha provat e mundshme nëse do të ketë incidente.

Ndërkohë RENEA është në gatishmëri në rast se do të ketë incidente.

Po ashtu edhe autobotë me ujë ndodhen në pjesën e pasme të parlamentit nëse do të jetë e nevojshme për të ndërhyrë.

Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet sot në një nga seancat më të rëndësishme plenare, ku pritet të japë autorizimin për arrestimin e ish-kryeministrit Sali Berisha.

Pasi Gjykata Kushtetuese nuk mori në shqyrtim padinë e deputetëve të Rithemelimit, tashmë Kuvendi e ka rrugën e hapur për t’i hequr mandatin e deputetit Berishës dhe për ta çuar atë drejt prangave.

Më pas do të jetë Prokuroria e Posaçme që do të vendosë se çfarë mase shtrënguese do të kërkohet për Berishën, 'arrest në shtëpi' apo 'arrest në burg', i cili është nën hetim për aferën ‘Partizani’.

kuvendi berisha policia kaos proteste