TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet17 Maj 2025, 07:51

Sulmet ndaj mediave në protestë, reagon Shoqata e Gazetarëve Evropianë: Dënojmë ashpër sjelljen e demokratëve!

Shkruar nga Pamfleti

Sulmet ndaj mediave në protestë, reagon Shoqata e Gazetarëve

Shoqata Ndërkombëtare e Gazetarëve Evropianë ka dënuar sjelljen e demokratëve drejtuar gazetares së Euronews Albania, Sara Demushi gjatë protestës së mbajtur ditën e djeshme nga opozita.

Gazetarja dhe operatori i Euronews Albania u penguan nga demokratët Edi Paloka, Klevis Balliu dhe Aldo Bumçi në punën e tyre.

AEJ shprehet se gjuha kërcënuese dhe intimidimi fizik ndaj gazetareve dhe punonjësve të medias janë të papranueshme dhe një kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias.

Gjithashtu, Shoqata e Gazetarëve Europianë thekson se një parti politike nuk mund të largojë mediat nga një aktivitet publik dhe nuk mund të përpiqet t'i ndalojë mediat të ushtrojnë misionin e tyre.

“Shoqata Ndërkombëtare e Gazetarëve Evropianë dënon sjelljen agresive dhe deklaratat e deputetëve të Partisë Demokratike nga Edi Paloka, Klevis Balliu ndaj gazetares Sara Demushi së Euronews dhe kameramanit, por edhe gazetarëve të tjerë në protestën e sotme në Tiranë.

Gjuha kërcënuese dhe intimidimi fizik ndaj gazetareve dhe punonjësve të medias janë të papranueshme dhe një kërcenim i drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias. Tentativa për ti larguar është e papranueshme dhe cenon rëndë lirinë e medias.

Është e rrezikshme për standardet e një vendi që një parti politike të shantazhojë dhe kërcënojë gazetarët.

Një parti politike nuk mund të largojë mediat nga një aktivitet publik dhe nuk mund të përpiqet të ndalojë ato të ushtrojnë misionin e tyre”, thuhet në reagim.

Në një deklaratë për mediat edhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dënoi ashpër gjuhën e deputetëve të Partisë Demokratike dhe opozitës ndaj gazetarëve.

“Unioni i Gazetarëve Shqiptarë e konsideron të papranueshme gjuhën e disa prej drejtuesve të partisë kryesore të opozitës ndaj gazetarëve në protestën kundër procesit zgjedhor të 11 majit, të zhvilluar në Bulevardin Zog i I në Tiranë. Reporterët dhe operatorët e mediave u janë drejtuar krerëve të protestës opozitare me pyetje dhe si përgjigje, prej tyre dhe mbështetësve të pranishëm, kanë marrë reagime dhe etiketime të palejueshme”, shkruan Unioni i Gazetarëve Shqiptarë.

Sipas Unionit të Gazetarëve Shqiptarë “gazetarët e pranishëm në aktivitete politike apo protesta nuk kanë asnjë angazhim politik, por vetëm misionin e raportimit dhe të pasqyrimit të asaj që ndodh. Çdo etiketim apo polemikë me reporterët, në protestat e subjekteve politike, janë të papranueshme dhe përbëjnë shkelje të etikës dhe cenim të lirisë së shprehjes, raportimit dhe kërcënim të tyre, në krye të detyrës”.

“Tendenca për të politizuar pyetjet apo këmbënguljen e gazetarëve për shkak të pyetjeve të tyre, është e gabuar dhe na kthen në fillimet e pluralizmit politik shqiptar dhe në mendësitë e kulturës së munguar të diversitetit demokratik”, thekson më tej Unioni i Gazetarëve Shqiptarë.

“UGSH dënon këto episode, agresionin verbal dhe stigmatizimet që deputetë dhe drejtues të veçantë të opozitës dëshmuan në këtë aktivitet politik të tyre. Kërkojmë prej opozitës dhe përfaqësuesve të saj, të pranishëm në këtë ndodhi, të reflektojnë në respekt të medias, rolit të gazetarisë dhe pavarësisë së gazetarëve në përgjithësi”, theksoi UGSH.

UGSH shprehu solidaritetin e fuqishëm me kolegët dhe operatorët që u përballën me këtë situatë në protestën e thirrur prej opozitës.

Lini një Përgjigje