
Të rinj, të moshuar dhe fëmijë marshojnë drejt Bashkisë me pankarta kundër korrupsionit dhe qeverisë.
Revolta qytetare kundër qeverisë po përhapet në të gjithë vendin. Pas protestave në Tiranë dhe qytete të tjera, tubime janë zhvilluar edhe në Shkodër, ku qindra qytetarë janë mbledhur në qendër të qytetit për të shprehur kundërshtimin ndaj projektit dhe për të ngritur zërin kundër korrupsionit.

Të rinj, të moshuar dhe fëmijë u mblodhën pranë Kishës së Madhe në Gjuhadol, për të nisur më pas marshimin drejt Bashkisë së Shkodrës. Në duart e tyre shiheshin pankarta me mesazhe si “Korrupsioni na vjedh të ardhmen” dhe “Dilni zot tokës suaj”, duke e kthyer protestën në një thirrje për mbrojtjen e pasurive publike dhe interesit qytetar.
Ashtu si në protestat e zhvilluara në Tiranë, vëmendje të veçantë kanë tërhequr pankartat dhe mesazhet e protestuesve. Krahas sloganëve politikë si “Rama dorëhiqu”, “Rama burg, Berisha burg” dhe “Larg duart nga Narta”, nuk kanë munguar as pankarta me nota humori dhe ironie, të frymëzuara nga memet dhe mesazhet virale që qarkullojnë në rrjetet sociale.

Protesta në Shkodër konfirmon se lëvizja e nisur për Zvërnecin po shtrihet përtej jugut të vendit dhe po merr përmasa kombëtare. Ajo që nisi si kundërshtim ndaj një projekti të caktuar, po kthehet gjithnjë e më shumë në një shprehje të pakënaqësisë qytetare ndaj korrupsionit, mënyrës së qeverisjes dhe vendimmarrjes mbi pasuritë publike.
Lini një Përgjigje