TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 7 Tetor 2024, 13:13

Ilir Proda e nisi “mbarë”; komandoi në Elbasan komisarin e pezulluar që arrestoi e lëshoi trafikantin në kërkim

Shkruar nga Pamfleti

Ky rast, tregon se policia nuk do pastrohet, por do blindohet me drejtues të lidhur me krimin...

Ilir Proda e nisi “mbarë”; komandoi në Elbasan komisarin e
Ilir Proda dhe Ulian Shpataraku /

Një orë pas marrjes së detyrës Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe betimit se do zbatojë ligin e do pastrojë policinë nga të inkriminuarit, krye polici Ilir Proda, firmosi urdhrin e parë, duke komanduar si zëvendës të tij në Elbasan, Komisar Ulian Shpataraku, aktualisht Shef Sektori i Anti-Trafikut të Drogës në drejtorinë e Qarkut Elbasan.

Komandimi i Ulian Shpatarakut në drejtimin e Policisë të Qarkut- Elbasan, dëshmon se krye polici Ilir Proda, jo vetëm nuk e mbajti betimin për pastrimin e policisë nga shefat e lidhur me krimin, por po i fuqizon ata me promovime në poste të larta.

Në datën 10 shtator 2022, Ulian Shpataraku, në atë kohë Shef Sektori i Hetimit të Narkotikëve e Trafiqeve me gradën N/komisar në Drejtorinë e Qarkut Elbasan, u pezullua nga detyra me vendim të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, sepse arrestoi shtetasin Endri Filja person në kërkim për drogë, por nuk e deklaroi në regjistër dhe e lëshoi e ai u arratis nga Shqipëria.

Vendimin e pezullimit nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, N/komisari Ulian Shpataraku e paditi në Gjykatën e Elbasanit, ku e humbi gjyqin, por e fitoi në Gjykatën e Apelit Durrës, ndërsa e humbi në janar 2023 në Gjykatën e Lartë, pas rekursit nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.

Por çuditërisht, N/komisar Ulian Shpataraku, 3 muaj pas vendimit të gjyqësor të formës prerë për pezullimin dhe largimin e tij nga policia, u rikthye në të njëjtën detyrë Shef Sektori i Hetimit të Narkotikëve e Trafiqeve në Drejtorinë e Policisë të Qarkut Elbasan, madje me gradën “Komisar”.

Ndërsa më 3 tetor 2024, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, vetëm 1 orë pas betimit e marrjes së detyrës, komandoi komisar Ulian Shpatarakun, në vend të tij si Drejtor Policie të Qarkut Elbasan.

Nuk do jetë çudi, që shefi i anti-trafiqeve Ulian Shpataraku, i cili ka arrestuar e liruar trafikantë droge në kërkim në Elbasan, por dhe nuk ka regjistruar procedime e ka pezulluar hetime për shumë të fortë e trafikantë të tjerë në Elbasan, Cërrik, Librazhd, Peqin, Gramsh e Belsh: të marrë pjesë në konkursin për Drejtor Policie të Elbasanit e të shpallet fitues me “dosje të pastër” nga miku i tij Drejtor i madh, Ilir Proda.

Ky rast, tregon se policia nuk do pastrohet, por do blindohet me drejtues të lidhur me krimin./Pamfleti

proda shpataraku

Lini një Përgjigje