Aktualitet13 Prill 2024, 19:51

Kosto e një të burgosuri në Shqipëri, 900 euro në muaj

Shkruar nga Pamfleti

Kosto e një të burgosuri në Shqipëri, 900 euro në muaj

Amnistia Penale do të ndihmojë në lirimin e hapësirave në dhomat e izolimit, por edhe portofolin.

Duke llogaritur të gjitha shpenzimet e kërkuara, përfshi ushqimin, transportin, pagesat e gardianëve apo shërbime të tjera të nevojshme, kostot e një të dënuari, deri para një viti ishin 2600 lekë ose 25 euro, ndërsa sot ato llogariten në 30 euro. Pra, me një llogari të thjeshtë, një i dënuar i kushton shoqërisë tonë 900 euro në muaj ose 10 800 euro në vit. Dhe me kapacitetet që mbajnë institucionet  sot, shoqëria paguan 160 mijë euro në ditë ose 59  milionë euro në vit.

“Gjykata priret të japë masën arrest me burg dhe jo alternativa të tjera të sigurisë, si arresti në shtëpi, garancia pasurore dhe detyrimi për t’u paraqitur që do ta lehtësonin popullatën në sistemin e burgjeve dhe nuk do të kishte nevojë për kaq investim dhe kosto në aspektin financiar e njerëzor. E gjithë ka kosto të papërballueshme dhe efekte negative”, ka thënë drejtuesja e Komitetit të Helsinkit Erida Skëndaj.

Avokatja e Popullit Erinda Ballanca tha se Shqipëria ka një numër alarmant të personave të dënuar me burgim të përjetshëm.

“Një person i burgosur i kushton shumë shoqërisë dhe jo domosdoshmërisht i jep mbrapsht atë siguri, të cilën ne e arrijmë me mbylljen e tij brenda sistemit penitenciar. Shqipëria ka shifër alarmante të personave të dënuar me burgim të përjetshëm për 100 mijë banorë dhe një nga rekomandimet e fundit është të gjenden metodat dhe t’u krijohen mundësi këtyre njerëzve që të rehabilitohen”, tha Ballanca. /Euronews Albania

amnistia penale burg