Aktualitet30 Prill 2024, 11:55

Leka Bungo i trondit themelet Alfred Pezës: Nuk ka asnjë drejtor ligjor, buxheti do shkojë për dëmshpërblimet e atyre që ka hequr nga puna

Shkruar nga Pamfleti

Leka Bungo i trondit themelet Alfred Pezës: Nuk ka asnjë drejtor

Kreu i Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar, Leka Bungo duket se sërish i ka prishur marrëdhëniet me Drejtorin e Përgjithshëm të RTSH-së, Alfred Peza.

Bungo ka raportuar në Komisionin e Media, ku Peza ka refuzuar të merrte pjesë, duke thënë se Peza ka shkelur të gjitha rregullat e funksionimit të institucionit, duke anashkaluar njëkohësisht edhe Këshillin Drejtues.

Bungo kërkoi nga anëtarët e Komisionit që të bëhet një ndryshim sa i përket funksionimit të KD, në mënyrë që të ketë mundësinë e vetos në veprimet e bëra nga drejtuesi i institucionit.

“Këshilli Drejtues nuk ka tagër për largime, emërime, të punonjësve të Radio Televizionit Shqiptar. Nuk ka të drejtë të ndërhyjë, as të thotë po as jo. Lidhur me përdorimin e fondeve publike si në rastin e parë Këshilli Drejtues ka tagrin për të marrë vendime në lidhje me 1% të buxhetit vjetor.

Po na kërkohet llogari për fondet. Ka një problem, po deshët merreni në konsideratë. Disa muaj më parë ju kam kërkuar të na ndihmoni për të ndryshuar ligjin, me këtë ligj RTSH, Këshilli Drejtues nuk ka të drejtë kontrollojë, të marrë vendime, është vetëm një këshill noterësh që ngre dorën për propozimet që bën drejtoria e përgjithshme.

Edhe atëherë kur Këshilli Drejtues i jep mundësia për të bërë gjënë më të rëndësishme bëhet me propozimin e drejtuesit. KD është jashtë vendimmarrjes për çdo gjë. Prandaj ne iu kemi dërguar një shkresë zyrtare për amendamente në ligj, po flas jo në emër të Këshillit, por në emër të Leka Bungos nëse ky Komision, i cili është materniteti i KD, merr parasysh vetëm një kërkesë, që kur Drejtori i Përgjithshëm vepron në kundërshtim me ligjin KD të ketë të drejtë me shumicë votash ta anulojë”, tha Bungo.

Kryetari i Këshillit Drejtues tha se atij dhe anëtarëve u është hequr çdo e drejtë.

Ndër problematika ai përmend faktin se Alfred Peza prej 8 muajsh, nuk ka asnjë drejtor të emëruar ligjërisht dhe të gjithë kryejnë funksionet në mënyrë të jashtligjshme. Madje nëse do të përballej me një kontroll nga KLSH këta drejtorë do të duhej t’i kthenin shtetit të gjitha pagat të cilat i kanë marrë në shkelje me ligjin.

“Po iu them vetëm një fakt, nuk është mirë ta them në mosprezencë, në një çështje që është serioze, kemi 8 muaj që Drejtori i Përgjithshëm nuk sjell në KD emrat e stafit të vet, të gjithë firmosin si drejtora, por nuk janë drejtora, i emërojmë. Minimalisht duhet të sjellin dy kandidatura.

I kemi kërkuar dublimin e kandidaturave që do të sjellin. I kam thënë pse ngul këmbë për këta të katërt, i ke djem hallash, na sill dhe katër djem tezesh dhe mos të dhimbsen se prapë janë të tutë.

Këtu Drejtori i Përgjithshëm është autoriteti më i madh pas Kryeministrit, ky nuk ka nevojë, të heqë, të emërojë. Do të iu lutem shumë miqësisht të merrni në konsideratë kërkesën, që të na ndihmoni që të kemi mundësi të krijojmë një balancë.

Ne jemi në të njëjtin qëllim, që të çojmë përpara RTSH. Janë 146 largime për motive të ndryshme, shkarkime, dorëheqje etj.

Nga Gjykata kanë ardhur 46 pranime akuze, sikur vetëm 20 të fitojnë, ikën buxheti i vitit tjetër për të paguar këtë. Kjo do një zgjidhje dhe kjo vjen nga ligji”, akuzoi Bungo.

leka bungo alfred peza rtsh