
Pas aksionit në Vlorë, Tiranë dhe Theth, bizneset që operojën në qytetin e Korçës kanë nisur zbatimin e urdhrit të Bashkisë për lirimin e hapësirave publike.
Të gjitha subjektet që më parë kanë qenë të pajisura me leje të përkohshme për zënien e këtyre hapësirave janë njoftuar për pezullimin e lejeve dhe për detyrimin që, deri më 2 gusht, të lirojnë ambientet që zënë.
Sipas urdhrit të shpërndarë nga bashkia, duhet të hiqen strukturat e përkohshme si:
• Konstruksione metalike
• Tenda
• Çadra
• Pedana
• Vazo dhe elementë të tjerë të ngjashëm
Në njoftim theksohet se në rast mosrespektimi të afatit, pas datës 2 gusht do të ndërhyjë Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), në bashkëpunim me Policinë Bashkiake.
Që nga mëngjesi i sotëm, disa prej bizneseve kanë nisur vetë çmontimin e strukturave të tyre. Ndërkohë, një përfaqësi e bizneseve do të zhvillojë një takim me kryetarin e Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo, ku do të kërkohet shtyrja e afatit deri më 15 shtator, për t’u përshtatur gradualisht me ndryshimet e kërkuara.
Lini një Përgjigje