Aktualitet 2 Mars 2024, 13:10

Me 82 vota, Bujar Spahiu rizgjidhet kryetar i KMSH-së

Shkruar nga Pamfleti

 

Me 82 vota, Bujar Spahiu rizgjidhet kryetar i KMSH-së
Bujar Spahiu

Bujar Spahiu është zgjedhur sërish kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, duke marrë 82 nga 92 vota në total.

Ka përfunduar procesi i votimit për zgjedhjen e kreut të Komunitetit Mysliman Shqiptar. Bujar Spahiu është zgjedhur sërish në krye të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë me 82 vota, nga 92 në total.

Spahiu kandidoi sërish pas përfundimit të mandatit 5-vjeçar, përballë Eduard Shefki, Administrator i myftinisë së Durrësit si dhe Emirjon Vathaj, Myfti i Beratit.

“Unë do të ndjek rrugën, traditën, e moralit të lartë të profetit. Do të vijoj të dëgjoj me vëmendje kritikat e sinqerta që vijnë ndaj meje. Ky institucion përfaqëson të gjithë myslimanët në republikën e Shqipërisë. Allahu i ndihmon dhe ata që nëse u japin pushtet në tokë, kryejnë faljen dhe pengojnë atë që është e mbrapsht. Do të ndjek me besnikëri, siç kam bërë deri më sot. Zoti urdhëron që të jemi të drejtë dhe të sillemi mirë me të gjithë, pavarësisht racës dhe ngjyrësh. Allahu është vlerësuesi më i drejtë. Unë kam qenë i hapur ndaj çdo kritike dhe ju garantoj që do të jem në mes jush deri në atë masë sa gjithçka të zgjidhet. Institucioni që unë drejtoj do të ndjek të gjitha rrugët ligjore ndaj kujdo që nxit urrejtje mes motrave dhe vëllezërve myslimanë", tha ndër të tjera Spahiu pas zgjedhjes në krye të Komunitetit Mysliman.

Kujtojmë që paralalelisht me zgjedhjet u zhvillua një tubim, ku një pjesë e besimtarëve myslimanë në këtë mënyrë i kontenstuan zgjedhjet. Ata akuzuan Komunitetin Mysliman, që është i kapur nga Shoqata Gyleniste.

Rezultati:

Bujar Spahiu – 82

Eduard Shefki – 3

Emirjon Vathaj – 3

E pavlefshme – 4

Biografia e kryetarit të KMSH-së, Bujar Spahiut

Bujar Spahiu ka lindur më 26 shkurt 1976 në Kukës.

Pasi mbaroi arsimin 8-vjeçar në Shkollën “Lidhja e Prizrenit në Kolesjan, ai u bë pjesë e kontingjentit të parë të studentëve që u nisën nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë drejt Turqisë në vitin 1992.

Kështu më 1996 ai kreu Medresenë Bejkoz në Stamboll, Turqi.

Më pas ai kreu studimet Teologjike universitare dhe pasuniversitare në Universitetin e Ez’herit në Egjipt në vitin 2003 në fushën e Tefsirit (interpretimi i Kuranit).

Bujar Spahiu ka një kontribut të gjatë në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, ku ka shërbyer si drejtor në Drejtorinë e Arsimit në KMSH nga viti 2006 deri në vitin 2009, dhe nga vitit 2009 deri në vitin 2019 ka ushtruar detyrën e nënkryetarit në këtë institucion.

Ai ka marrë pjesë dhe ka përfaqësuar Komunitetin Mysliman në shumë takime të rëndësishme, organizime të ndryshme, konferenca, simpoziume, etj.

Gjithashtu Spahiu ka qenë i angazhuar në mësimdhënie në universitet dhe medresetë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë në fushën e specializimit të tij.

Spahiu është i martuar dhe ka dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë.