Aktualitet19 Maj 2024, 07:33

Megaoperacioni i SPAK ndaj 7 grupeve më të fuqishme kriminale në vend, deputeti: Bandat detyruan ministrat të çohen në mes të natës

Shkruar nga Pamfleti
Megaoperacioni i SPAK ndaj 7 grupeve më të fuqishme kriminale në
SPAK goditi 7 grupet më të fuqishme kriminale në vend

Deputeti e PD, Dashnor Sula ka kritikuar megaoperacionin e SPAK të zhvilluar dy ditë më parë.

Sipas deputetit, Policia e Shtetit përbëhet nga persona me rekorde kriminale, ndërsa thekson se bandat kanë avancuar aq shumë saqë disa drejtorë policie kontrollohen nga grupet kriminale në vend.

Sula thekson më tej se bandat në vendë kanë avancuar aq shumë saqë disa drejtorë policie kontrollohen si zarë dhe detyrojnë anëtarë të kabinetit qeverisës të çohen në mes të natës për hallet e tyre.

“Vetëm 14 të arrestuar nga 50 urdhër arresti. Prokuroria e Posaçme lajmëroi sot përfundimin e një operacioni që zgjati 20 orë ndaj personave ne rekorde të rënda kriminale. SPAK njofton se në territorin shqiptar janë ekzekutuar vetëm 14 urdhër arreste nga 50 urdhër arresti të lëshuar në total. 6 të tjerë jane ekzekutuar në disa vende të BE.
Bie në sy se në vendet ekzekutimet janë 100% ndërsa në Shqipëri vetëm 14 nga 50. Kjo besoj që do një analizë. A është kjo arsyeja përse kreu SPAK tha disa kohë më parë se nuk bashkëpunojmë dot me Policinë?!
Mesa duket Shqipërisë i duhet një polici për të arrestuar policinë e korruptuar që bashkëpunon me krimin e organizuar dhe dekonspiron operacionet. E thash edhe dy javë më parë në Parlament: bandat kanë avancuar aq shumë saqë disa drejtorë policie kontrollohen si zara të tyre.
Madje edhe më shumë: detyrojnë anëtarë të kabinetit qeverisës të çohen në mes të natës për hallet e tyre”, shkruan Sula.

Megaoperacioni i SPAK

Megaoperacioni i SPAK në bashkëpunim me Policinë, FNSH dhe RENEA-n ka çuar deri më tani në pranga 20 persona brenda dhe jashtë Shqipërisë, duke goditur 7 grupe më të fuqishme kriminale në vend.

Operacioni që zgjati rreth 20 orë, sipas njoftimit zyrtar të SPAK është shtrirë në Shqipëri, në qytetet Tiranë, Durrës, Vlorë, Lezhë, Fushë-Krujë dhe Rrëshen. Gjithashtu ai është kryer në bashkëpunim me Europol që mundësoi arrestimin e 6 shtetasve, 2 në Itali, 2 në Belgjikë, 1 në Gjermani e në Spanjë. Nga hetimi është evidentuar gjithashtu edhe përfshirja e ish-deputetit të Lezhës Arben Ndoka, 4 punonjësve të policisë, 2 prej tyre në role drejtuese, gjatë vitit 2020 për të cilët u lëshua edhe urdhër-arresti.

Në dosjen e SPAK drejtori i Policisë së Lezhës, Henrigert Mitri në vitin 2020 akuzohet si i përfshirë në trafikun e drogës. Ndërsa efektivi Klodian Shahini, me detyrë Shef i Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë, Lezhë akuzohet se informonte Edison Reçin nipin e Kastriot Reçit për lëvizjet e Preng Gjinit. Më 15 Shtator 2020 në Tiranë  u tentua eliminimi fizik i Preng Gjinit duke i vendosur një sasi tritoli në makinë. Nga shpërthimi mbeti i plagosur.

SPAK ka firmosur urdhër arresti edhe për Altin Morinën, ish-efektivi i RENEA-s dhe kolegun e tij me iniciale A.P. Në njoftimin e SPAK përmenden grupet e Ervis Martinajt, qe rezulton i zhdukur prej 8 Gushtit 2022, si dhe Arben Ndokës në Lezhë, klani Duka në Tiranë, grupi Avdylaj në Shijak dhe grupi i Durim Bamit në Fushë-Krujë.

Ndërsa SPAK përmend dhe bashkëpunimin me Emiljano Shullazin, i cili është ndodhet në burg, me grupin e Ervis Martinajt për eliminimin e Durim Bamit. Gjithashtu SPAK bën të ditur se ka sekuestruar 4,5 milionë Euro pasuri. Janë gjetur 3 mln Euro kesh të fshehura ne valixhe, por edhe te groposura në tokë, bizhuteri, ora luksi dhe dhjetëra makina. Për këtë operacion u angazhuan afërsisht 30 hetues të BKH-së, forcat RENEA, Policia e Shtetit, si dhe Europol.


URDHËR-ARRESTETE NGA SPAK

– Ish-deputeti, Arben Ndoka;

– Drejtori i Policisë Lezhë, Henrigert Mitri;

– Shefi kundër Trafiqeve në Lezhë, Klodian Shahini;

– 2 efektivë të RENEA, Altin Morina dhe A.P.

U SEKUESTRUAN:

•      3 milion Euro cash;

•      Flori dhe bizhuteri të shtrenjta;

•      Ora me vlerë të përafërt prej 500.000 Euro;

•      Armë zjarri;

•      Targa të përshtatura automjetesh;

•      Automjete luksoze, 5 të blinduara me vlerë mbi 500,000 Euro;

•      Sisteme vrojtimi kamerash, tavolinë pokeri.

megaoperacioni i spak