Aktualitet19 Maj 2024, 07:25

Rrahja brutale e bashkëshortit të gjyqtares së njohur, zbulohen bisedat si Shullazi e organizoi nga burgu me ish-deputetin e PS

Shkruar nga Pamfleti
Rrahja brutale e bashkëshortit të gjyqtares së njohur, zbulohen
Saida Dollani dhe Shullazi

Një prej ngjarjeve të zbardhura nga hetimet e SPAK për goditjen e grupeve kriminale në vend është edhe dhuna ndaj bashkëshortit të zëvendëskryetares së Gjykatës të Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Saida Dollani.

Ajo vijon të ushtrojë detyrën e saj në Gjykatën e Posaçme të Apelit, ndërsa burri i saj ka ndërruar jetë për shkaqe natyrale.

Në bisedat e aplikacionit të SKY ECC të zbardhura nga SPAK, ka rezultuar se organizator i rrahjes brutale të bashkëshortit të gjyqtares Saida Dollani, është Emiljano Shullazi.

Sipas informacioneve, Shullazi ka bashkëpunuar me ish-deputetin e PS Arben Ndoka dhe Ervis Martinajn, persona të përfshirë në disa ngjarje kriminale në vend.

Katër vite më parë, gazetarja Anila Hoxha raportoi ekskluzivisht kërcënimin ndaj gjyqtares, por drejtësia e pushoi çështjen.


Policia në atë kohë arrestoi një person, por shumë shpejt ai u lirua dhe më pas çështja për akuzën e “kanosjes ndaj gjyqtarit” dhe rrahjes së burrit të Saida Dollanit u pezullua nga Prokuroria e Tiranës, për mungesë autori.

Sipas dyshimeve, gjithçka ishte bërë nga brenda burgut me qëllim që Saida Dollani, të jepte dorëheqjen nga procesi penal kundër Shullazit, Gilmando Danit dhe katër personave të tjerë që po zhvillohej në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda.

20 persona ranë në pranga gjatë megaoperacionit të SPAK të organizuar në disa qytete të vendit, nga 50 urdhër arreste të lëshuara nga GJKKO.

Nga këto urdhër arreste, 14 prej tyre janë ekzekutuar në Shqipëri dhe 6 jashtë vendit ku në Itali janë arrestuar 2 persona, në Gjermani një person, në Spanjë një person dhe në Belgjikë dy persona të përfshirë në ngjarje kriminale.

Gjatë hetimeve është bërë e mundur dokumentimi i aktivitetit kriminal të personave të dyshuar, si dhe identifikimi i disa prej autorëve të ngjarjeve kriminale të zhvilluara ne periudha dhe qytete të ndryshme.

Në qendër të këtyre grupeve kriminale është grupi kriminal i krijuar dhe drejtuar nga shtetasi Ervis Martinaj i cili është në aleancë me grupin kriminal që vepronte në qytetin e Lezhës të drejtuar nga shtetasi Arben Ndoka.

Këta dy grupe kriminale, për arritjen e qëllimit kriminal kanë kontaktuar anëtarë të një grupi tjetër kriminal i cili vepronte në qytetin e Durrësit. Gjithashtu, të dy këto grupe kriminale kanë rekrutuar vrasës me pagesë të cilët veprojnë kryesisht në zonën e Fushë – Krujës dhe në zonën e Burrelit. Po kështu për të realizuar qëllimet kriminale Ervis Martianaj kontakton shtetasin Viktor Imeri cili sapo kishte përfunduar vuajtjen e dënimit me burgim i kërkon vrasjen e shtetasit F.H. Në ndihmë të grupeve kriminale të drejtuara Ervis Martianaj.

Nga ana tjetër në zonën e Fushë Krujës spikat grupi kriminal i drejtuar nga shtetasi Durim Bami i cili shfaqet në konflikt të hapur me grupet kriminale të drejtuara nga shtetasit Ervis Martinaj dhe Arben Noka. Grupi kriminal i drejtuar nga Durim Bami bën aleancë me një grup kundërshtar të shtetasit Ervis Martinaj dhe që drejtohet nga shtetasit L.D. dhe Fatmir Hyseni persona me precedentë të theksuar kriminal me qëllim vrasjen e Ervis Martinaj dhe Arben Noka dhe anëtarëve të tjerë të këtyre grupeve kriminale.

Në dinamikën e hetimit të këtij procedimi penal, janë grumbulluar prova që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shtetasi Durim Bami në bashkëpunim me shtetasin Altin Morina me detyrë efektiv i forcave “Renea” në kohën e kryerjes së krimit kanë organizuar kultivimin e bimëve narkotike në zonën e Niklës dhe Tapizës.

Shtetasi Klodian Shahini me detyrë me detyrë Shef i Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë, Lezhë, si pjesë e grupit të strukturuar kriminal ndihmonte shtetasin E.R., duke i dhënë informacion në lidhje me automjetet dhe hyrje-daljet e shtetasit Preng Gjini.

Hetimi ka nxjerrë në pah se, këto grupe kriminale ishin në gjendje të paguanin shuma të mëdha parash me qëllim realizimin e vrasjes të kundërshtarëve të tyre. Mënyra e kryerjes së veprave penale tregon gjithashtu një shkallë shumë të lartë organizimi dhe rrezikshmërie shoqërore.

Mbi 4.5 milion euro pasuri janë sekuestruar gjatë megaoperacionit. Gjatë ekzekutimit të vendimeve të GJKKO janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale:  2.996.760 Euro cash; sasi të konsiderueshme floriri dhe bizhuteri të shtrenjta; ora të markave të shtrenjta me një vlerë të përafërt prej 500.000 Euro; armë zjarri; targa të përshtatura automjetesh; automjete luksoze (nga të cilat 5 të blinduara me vlerë mbi 500,000 Euro); sisteme vrojtimi kamerash, tavolinë pokeri, etj.

emiljano shullaz saida dollani