
Një spital privat është bllokuar në Tiranë, pasi nuk deklaroi 1 milionë euro fitime për 1 vit, 2024-2025.
Pas hetimeve disamujore të Krimit ekonomik në bashkëpunim me Policinë e Tiranës bëhet me dije se spitali përveçse nuk kishte deklaruar fitimet gjatë kësaj kohe, shërbimet spitalore kryheshin me produkte të ndaluara për përdorim, teksa punonin edhe pesë punonjës të pasiguruar.
Gjatë këtij operacioni në pranga ka rënë administratori i spitalit privat, Edmond Zaja dhe janë shpallur në kërkim dy aksionerët e këtij subjekti, Bilal Kara (turk) dhe Geriana Arapi.
Gjatë kontrolleve të kryera blutë sekuestruan 100 blloqe me mandate të pafiskalizuara, 27 lloje medikamentesh të dyshuara të skaduara dhe 6 njësi kompjuterike.
"Gjatë operacionit “Bilanci”, shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare arrestuan administratorin e spitalit, shtetasin E. Z., 62 vjeç, si dhe shpallën në kërkim bashkaksionerët e subjektit, shtetasin turk B. K., 45 vjeç dhe shtetasen shqiptare G. A., 32 vjeçe.
Gjatë periudhës hetimore disamujore, në koordinim me Prokurorinë e Tiranës, si dhe nga kontrollet në subjekt, u konstatua se nëpërmjet lëshimit të faturave të pafiskalizuara, ishte kryer evazion fiskal me vlerë mbi 1 000 000 euro. Gjithashtu, në spital përdoreshin medikamente të dyshuara të kontrabanduara, të ndaluara për përdorim, nga autoritetet kompetente, si dhe ishin punësuar pa u siguruar, 5 shtetas.
Punohet për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe për provimin e plotë të këtyre veprimtarive kriminale. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme", njofton policia.
Lini një Përgjigje