
Thirrjet kundër qeverisë vijojnë gjatë fjalimeve të mbajtura para Kryeministrisë. Një nga protestuesit lëshoi akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe u bëri apel forcave të rendit që, sipas tij, të mos i druhen pushtetit.
Duke folur nga podiumi para mijëra qytetarëve të mbledhur në bulevard, ai deklaroi se protestuesit do të vijojnë mobilizimin e tyre deri në largimin e qeverisë, ndërsa paralajmëroi se pakënaqësia qytetare po rritet nga dita në ditë.
“O plak i ligë, shkove 61 vjeç, po ne jemi rinia! Jemi zotuar se jemi këtu çdo ditë derisa të shporresh nga karrigia e pamerituar. Do jemi këtu përditë. Mos e detyro turmën të humbasë kontrollin e të gabojë e ta fusë Tiranën në kolaps”, u shpreh ai.
Në vijim të fjalës së tij, protestuesi iu drejtua edhe punonjësve të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës, duke i ftuar që të mos kenë frikë dhe të qëndrojnë në anën e qytetarëve.
“T’i japim zemër policisë dhe gardës që të thyejnë frikën. E kanë frikë se vetë rojet e tij dhe Garda e Republikës do u rrëshqasë këmba dhe do gabojnë shumë dhe do e sjellin me duart e tyre zvarrë këtu”, deklaroi ai.
Fjalimi u prit me brohoritje dhe duartrokitje nga pjesëmarrësit në protestë, e cila për të shtatën ditë radhazi po zhvillohet para Kryeministrisë. Ndryshe nga ditët e para, protesta është fokusuar kryesisht në kërkesat për largimin e qeverisë, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar vijimin e mobilizimit edhe në ditët në vijim.
Lini një Përgjigje